Lajm - Kpk | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Prezantohet analiza për reformën e administratës së sistemit prokurorial

Prishtinë, 16 qershor 2022 – Në kuadër të diskutimeve për konceptin e reformës administrative, projekti EUKOJUST organizoi një punëtori, në të cilën morën pjesë Kryesuesi i KPK-së, Jetish Maloku, Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, përfaqësuesit e projektit EUKOJUST, kryeprokurorë, kryesues të komisioneve dhe udhëheqës administrativ.  

Me këtë rast, përfaqësuesit e projektit EUKOJUST prezantuan analizën për identifikimin e mangësive në reformën e administratës, analizë kjo, e cila përfshin hartimin e akteve normative, zbatimin e konceptit të reformës dhe standardizimin e administratës së sistemit prokurorial.

Gjatë diskutimeve interaktive, u theksua se ka rritje të ndjeshme të pritjeve për planifikimin e rishpërndarjes së burimeve njerëzore dhe sistemimin e burimeve të reja, siç është strukturimi i Sekretariatit të KPK-së, burimeve njerëzore në ZKPSH dhe prokuroritë e të gjitha niveleve, rritja e përgjegjshmërisë, përmirësimi i burimeve menaxheriale, digjitalizimi dhe harmonizimi ndërsektorial.

Kryesuesi Maloku, në fjalën e tij, kërkoi fokusim të plotë për rregullimin e organizimit funksional të administratës, duke thënë se duhet definuar nevojat dhe sfidat në rrugën që kemi përpara në kuptimin e avancimit dhe fuqizimit të veprimtarisë së administratës, kurse Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Kelmendi, potencoi faktin se kjo reformë është e mirëpritur, meqë avancon e fuqizon mbështetjen për Prokurorin e Shtetit.

Pjesëmarrësit vlerësuan se do të punojnë së bashku në të ardhmen për zbatimin e praktikave më të mira për rregullimin, funksionimin e administratës dhe identifikimin e vazhdueshëm të efekteve të riorganizimit.