Lajm - Kpk | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Kërkohet paraburgim ndaj dy personave për lëndim të rëndë trupor ndaj pronarit të një barnatoreje në Prishtinë

Prishtinë, 28 maj 2022– Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik se Departamenti i Përgjithshëm, ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në gjykatën kompetente, ndaj të pandehurve V.C. dhe A.C., në drejtim të veprës penale “Lëndimi i rëndë trupor”, nga neni 186 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas kërkesës, ekziston dyshimi i bazuar se më 22 maj 2022, rreth orës 02:20, para barnatores “Rexall”, në rrugën “Mark Dizdari”, në Prishtinë, derisa i dëmtuari D.A., ka qenë duke e mbyllur barnatoren e lartcekur,  të pandehurit V.C. dhe A.C., me dashje dhe në bashkëkryerje e kanë sulmuar me mjete të forta (shufra) të dëmtuarin, me të cilat veprime i kanë shkaktuar lëndime të rënda trupore.

 

Po ashtu, ju njoftojmë se pas veprimeve hetimore të ndërmarra nga ana e Prokurorit të Shtetit në koordinim me policinë, të pandehurit e lartcekur, më 27 maj 2022, janë ndaluar me aktvendim mbi ndalim për shkak të veprës penale “Lëndimi i rëndë trupor”, nga neni 186 të KPRK-së.