Lajm - Kpk | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Aktakuzë kundër tre personave për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar

Prishtinë, 20 prill 2022– Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik se Njësiti për Krime Ekonomike dhe Korrupsion, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve F.H., L.J. dhe Y.K., në drejtim të veprës penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 414 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Sipas aktakuzës, më 22.12.2020, të pandehurit, në cilësinë e personave zyrtarë (IT), në QKUK, në bashkëkryerje dhe në kundërshtim me Ligjin me Nr.04/L-042, për Prokurimin Publik, kanë shfrytëzuar detyrën zyrtare, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për veten apo tjetrin, duke mos i përmbushur detyrat e tyre zyrtare, në atë mënyrë që në aktivitetin e prokurimit “Furnizimi dhe montimi i Sistemit të integruar të monitorimit me kamera dhe Integrimi i sistemit të kontrollit të qasjes”, kontratë e nënshkruar në mes të QKUK dhe operatorit       ekonomik “Artech”, tërë aktivitetin e kryer në dhjetor të vitit 2020, përfshirë pranimin e mallit, ekzekutimin  e punimeve dhe pranimin teknik të punimeve, kanë nënshkruar një raport fiktiv e që ka qenë në kundërshtim me gjendjen faktike, kështu duke i shkaktuar dëm material në shumën prej 104,751.00 €, QKUK-së.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që të pandehurit e lartcekur të shpallen fajtor dhe të dënohen sipas ligjit për veprën penale e cila iu vihet në barrë, po ashtu i njëjti ka propozuar që të pandehurve t’u shqiptohet dënimi plotësues i ndalimit të ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik, konform dispozitave të KPRK-së.