Lajm - Kpk | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

DEKLARATË E KËSHILLIT PROKURORIAL TË KOSOVËS

Prishtinë, 9 mars 2022 – Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) nëpërmjet kësaj deklarate, shpreh shqetësimin e thellë për miratimin e Projektligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës nga Qeveria e Republikës së Kosovës në mbledhjen e saj të mbajtur sot më 9 mars 2022, pa u njoftuar Këshilli Prokurorial për draftin final, i cili ishte në diskutim të grupit punues.  

KPK-ja njofton opinionin publik se që nga hartimi i Strategjisë për sundimin e ligjit dhe iniciativat e Ministrisë së Drejtësisë për hartimin e projektligjeve për sistemin prokurorial, edhe pse njëanshëm ishin filluar nga Ministria e Drejtësisë dhe vetëm për sistemin prokurorial, ne, prapëseprapë, së bashku edhe me partnerët ndërkombëtarë kemi dhënë kontribut për të implemnetuar këtë strategji dhe për të hartuar draftin e Projektligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës, i cili ka pësuar ndryshime të njëpasnjëshme, duke mos u hartuar parimisht sipas rekomandimeve të Komisionit të Venecias.

Ky nxitim i Ministrisë së Drejtësisë për të proceduar me shpejtësi këtë draft të projektligjit, pa e ndarë draftin final me aktorët e këtij procesi dhe pa i pritur komentet shtesë të Komisionit të Venecias, si dhe pa i marrë parasysh edhe propozimet e dala nga Strategjia për sundimin e ligjit dhe ato të përfaqësuesve të sistemit prokurorial, është tendencë për të cenuar pavarësinë e Këshillit Prokorurial dhe Prokurorit të Shtetit, si institucione të pavarura dhe kushtetuese.

Kjo praktikë tregon qartazi se sponsorizuesi i këtij projektligji, në këtë rast Ministria e Drejtësisë, me vetëdije dhe në emër të reformave synon që të bëjë të kundërtën e reformës - bllokimin dhe defunksionalizimin e sistemit prokurorial.

Çdo iniciativë e këtij lloji, pa respektuar ndarjen e pushteteve, bashkëpunimin dhe  koordinimin e ndërsjellë, sjellë dështim dhe krijon hapësirë për ndërhyrje të jashtme në Këshillin Prokurorial të Kosovës.