Lajm - Kpk | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Arrestohen gjashtë persona për kultivim, blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të narkotikëve

Prizren, 16 shkurt 2022- Me urdhër të Prokurorisë Themelore në Prizren, Policia e Kosovës, respektivisht Njësiti për Hetimin e Trafikimit me narkotikë në Prizren, kanë realizuar një aksion për bastisje në një lokacion me dyshimin për trafikim me narkotikë.

Prokuroria Themelore në Prizren, njofton opinionin publik se lidhur me këtë rast, hetimet kanë filluar me 04 shkurt 2022, ndaj tre (3) personave, ku njëri nga ta është arrestuar sot.

Pas sigurimit të provave të nevojshme është realizuar bastisja në fshatin Shirokë-Komuna e Suharekës, në një objekt shtatë (7) katësh, nën kulmin e të cilit është gjetur një laborator për të kultivuar bimën e kanabisit.

Me rastin e bastisjes janë kapur në flagrancë dhe janë arrestuar gjashtë (6) persona, katër (4) prej tyre shtetas të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe dy (2) shtetas të Republikës së Kosovës, nën dyshimin e bazuar se të njëjtit kanë kryer veprat penale “Kultivimi i bimës së hashashit, shkurrës së kokainës ose bimëve të kanabisit” nga neni 272 paragrafi 1 lidhur me 31, dhe “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautroizuar e narkotikëve, substanave psikotrope dhe analoge” nga neni 267 paragrafi 1 lidhur me neni 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)

Nga ky aksion janë gjetur rreth 32 kg narkotikë e llojit marihuanë, dymijë e pesëdhjetë e nëntë  (2059) bimë të mbjella në saksi, të cilat janë konfiskuar, si dhe narkotikë që kanë qenë të përgatitura dhe të gatshme për shitje.

Vendi (laboratori) ku janë gjetur narkotikët i ka pasur të gjitha pajisjet e nevojshme për kultivimin e bimës së kanabisit si:ndriçimin e posaçëm, sistemin e ujitjes, sistemin e ajrosjes, peshore, qese, si dhe sasi të konsideruar të dheut të vendosura në thasë.

Nga ky aksion janë sekuestruar:

- Tre (3) automjete të markave BMW, Ford dhe Opel Zafira;

- Gjashtë (6) celularë;

- Para të gatshme në shumë prej 2185.29 euro, 313 denar maqedon;

- Një (1) DVR; dhe 

- Një (1) llaptop.

Po ashtu, lidhur me këtë rast hetimet do të vazhdojnë, ndërsa për të arrestuarit nga prokurori i çështjes është lëshuar vendimi për ndalim 48 orësh.