Lajm - Kpk | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Mbahet takimi i 206-të i Këshillit Prokurorial të Kosovës

Prishtinë, 2 dhjetor 2021 – Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), i udhëhequr nga Kryesuesi Jetish Maloku, ka mbajtur takimin e 206-të me radhë, i cili është mbajtur në përputhje me të gjitha masat mbrojtëse kundër pandemisë Covid-19.

Në fillim të këtij takimi, para anëtarëve të KPK-së është prezantuar Raporti periodik janar-shtator 2021 për veprat penale karakteristike të Mekanizmit përcjellës ndërinstitucional, raport ky, i cili pas diskutimeve është miratuar.

Më tej takimi ka vazhduar me njoftimin lidhur me raportimet e kryeprokurorëve të prokurorive të Republikës së Kosovës për periudhën korrik-shtator 2021, raportime këto, të cilat bëhen me shkrim.

Më tej, KPK-ja ka miratuar kërkesën e Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore të Pejës për të filluar procedurat për avancimin e një prokurori në Departamentin për të Mitur në këtë prokurori, me ç’rast ka votuar për shpalljen e brendshme për avancim.

Në këtë takim Këshilli Prokurorial i Kosovës ka caktuar Astrit Kolajn, Udhëheqës i Zyrës për Komunikim Publik, si zyrtar të ri për Qasje në Dokumente Publike të sistemit prokurorial të Kosovës.

KPK-ja ka miratuar gjatë këtij takimi Raportin për rivlerësimin e performancës së një prokurori, Raportin për vlerësimin e performancës së 10 prokurorëve dhe ka miratuar pjesërisht Raportin për vlerësimin e performancës së 12 prokurorëve, duke aprovuar kundërshtimin e paraqitur nga një prokuror lidhur me vlerësimin dhe ka obliguar Komisionin që të bëjë rivlerësimin e atij prokurori.

Në këtë takim, Këshilli ka themeluar dy panele hetimore për trajtimin e rasteve disiplinore ndaj një prokurori të Prokurorisë Themelore të Pejës dhe një prokurori të Prokurorisë Themelore të Prishtinës.

Në fund të takimit është mbajtur seancë dëgjimore disiplinore lidhur me rastin e një prokurori në Prokurorinë Themelore në Pejë, ku vendimi përkatës do të bëhet publik siç parashihet me Ligj.