Lajm - Kpk | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

DEKLARATË NGA KËSHILLI PROKURORIAL I KOSOVËS

Prishtinë, 5 nëntor 2021 – Këshilli Prokurorial i Kosovës, përmes kësaj deklarate, shpreh qëndrimin institucional për të mos marrë pjesë në Grupin punues, të caktuar nga Ministria e Drejtësisë për hartimin dhe finalizimin e legjislacionit për procesin e vetingut në sistemin e drejtësisë.

Ky qëndrim vjen si rrjedhojë e qasjes së Ministrisë së Drejtësisë, e cila ka proceduar në Qeveri draftin final për procesin e vetingut pa u konsultuar fare me institucionet e pavarura të drejtësisë.

Për më tepër, ky konceptdokument i dorëzuar në Qeveri nuk iu është dhënë anëtarëve të grupit punues nga sistemi prokurorial, të cilët janë të painformuar me përmbajtjen finale të këtij dokumenti. 

Prandaj, kjo qasje e njëanshme dhe përjashtuese nga ana e Ministrisë së Drejtësisë për ne është joserioze dhe joprofesionale. 

Në procese të tilla të rëndësishme është thelbësore të ketë gjithëpërfshirje aktive të të gjitha palëve, të ndërtohet besimi reciprok dhe të kultivohet një qasje konstruktive, pa paragjykime, e bazuar në objektivitet dhe bashkërendim.

Këshilli Prokurorial i Kosovës, si institucion kushtetues, mbetet i përkushtuar për të bashkëpunuar me partnerët ndërkombëtarë dhe institucionet e vendit që nëpërmjet forcimit të kapaciteteve të brendshme institucionale të punojë në avancimin e sistemit prokurorial, gjithmonë duke e ruajtur pavarësinë dhe ndarjen e pushteteve.