Lajm - Kpk | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Sqarim nga Këshilli Prokurorial i Kosovës


Prishtinë, 15 prill 2021 - Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) sqaron se në emisionin “Betimi për Drejtësi”, të datës 10.04.2021, me temën "Ligjshmëria e përfitimeve të anëtarëve të Këshillit Gjyqësor dhe Prokurorial”, janë ngritur çështje të cilat në aspektin juridik janë të pabazuara dhe nuk e paraqesin të vërtetën mbi gjendjen faktike.  
Prandaj, më anë të këtij sqarimi njoftojmë opinionin se të gjithë anëtarët e Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe prokurorët e apostrofuar në emisionin e lartcekur janë kompensuar duke u bazuar dhe mbështetur në ligjet dhe aktet tjetra si në vijim;  

Në bazë të Ligjit nr. 06/L-056 për Këshillin Prokurorial të Kosovës, konkretisht neni 18 pika 2 të këtij ligjit parashihet që; “Anëtarët e Këshillit me orar jo të plotë kanë të drejtë në kompensim për punën e tyre si anëtarë të Këshillit. Këshilli do të miratojë skemën e kompensimit përkatësisht pagën për anëtarët me orar jo të plotë”. 
Po ashtu, edhe në Ligjin nr. 03/l-225 pёr Prokurorin e Shtetit, neni 21 paragrafi 1 nënparagrafi 1.9 parashihet që; “Përpos pagës së tyre bazë, secili prokuror gëzon të drejtën për kompensim shtesë për shërbime tjera siç ceket me ligj apo rregulla të nxjerra nga Këshilli Prokurorial i Kosovës”.

Ndërkaq, në Vendimin KPK/Nr.308/2018 të datës 26 korrik 2018, përkatësisht në pikën II të këtij vendimi është paraparë:
“Anëtarët e Këshillit Prokurorial të Kosovës do të kompenzohen në vlerë prej 262,75 euro, për aktivitetet e tyre mujore në Këshillin Prokurorial të Kosovës, përshirë komisionet e përhershme dhe trupa tjerë ndihmës të Këshillit Prokurorial të Kosovës”. 

Për me tepër, nuk qëndron konstatimi se prokurorët kanë tejkaluar 25 % të pagës bazë  për angazhimet e tyre në veprimtaritë profesionale, për shkak se për këto angazhime prokurorët janë kompensuar sipas legjislacionit në fuqi. 
Po ashtu, sipas legjislacionit në fuqi, angazhimi i prokurorëve në institucione të cilat janë të obliguara me ligj të realizojnë detyrat e caktuara nuk konsiderohet angazhim në veprimtari profesionale. Për këto veprimtari, që realizohen sipas ligjit është paraparë edhe kompensimi, madje në disa raste edhe vlera e kompensimit (shembull Akademia e Drejtësisë).

Lidhur më këtë, duke u bazuar në legjislacionin e lartcekur, padyshim që shihet qartë se anëtarët e Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe Prokurorët e Shtetit janë kompensuar në përputhje të plotë me legjislacionin në fuqi. 

Ndërsa, sa i përket Ligjit nr. 06/L -011 për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik, në të cilën është bazuar emisioni “Betimi për Drejtësi”, konsiderojmë se kemi të bëjmë me kolizion të ligjeve, pasi që ky Ligj në asnjë dispozitë të saj nuk ka shfuqizuar dispozitat e ligjeve dhe rregulloreve që parashohin kompensimin dhe shtesat për anëtarët e KPK-së dhe Prokurorët e Shtetit për aktivitetet e tyre që i realizojnë brenda dhe jashtë sistemit prokurorial. Për eliminimin e kolizionit mund të vendos ligjvënësi e assesi KPK dhe Prokurori i Shtetit.

Andaj, Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe institucioni i Prokurorit të Shtetit më anë të këtij sqarimi njofton se të gjitha shtesat dhe kompensimet janë marrë konform legjislacionit në fuqi dhe asnjë shtesë nuk është marrë në mënyrë të kundërligjshme. 
Ua bëjmë me dije autorit të emisionit dhe opinionit të gjerë se KPK dhe Prokurori i Shtetit do të veprojnë sipas ligjeve deri sa ato janë në fuqi.