Lajm - Kpk | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Diskutohet ngritja e kapaciteteve të qëndrueshme profesionale dhe administrative në sistemin prokurorial

Prishtinë, 3 korrik 2019 – Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Bahri Hyseni, me bashkëpunëtorë, është takuar me përfaqësuesit e ekipit britanik të Projektit “Forcimi i sistemit të drejtësisë në Kosovë”.  

Qëllimi i takimit ishte diskutimi i kornizave të përbashkëta organizative dhe vlerësimit, e cila kontribuon për zhvillimin e sistemit të përgjithshëm, përfshirë emërimin e prokurorëve, vlerësimin e performansës së tyre, zbatimin e programeve të mbikëqyrjes, krijimin e grupeve funksionale punuese dhe grupeve drejtuese, si dhe avancimin e reformës institucionale, çështje këto, që njihen si sfida reale të sektorit prokurorial.

Kryesuesi Hyseni ka theksuar se projekti britanik është një kontribut i veçantë dhe model i partneritetit e i bashkëpunimit, i cili fokusohet në fushat kryesore tematike, andaj Këshilli Prokurorial në saje të kësaj ka krijuar qasje të konsoliduar strategjike dhe planifikuese, por kërkohet rritja e dinamikës së zbatimit të objektivave, duke u fokusuar në premisat kryesore të përmirësimit të vazhdueshëm të tyre.

Të dyja palët janë pajtuar se duhet të vazhdojë se partneriteti si zotim real i avancimit dhe i krijimit të mekanizmave të nevojshëm në rrugën që ka përpara sistemi prokurorial, duke zbatuar agjendën e prioriteteve dhe duke bërë adresimin e tyre real dhe me kohë.

Në përmbyllje të këtij takimi është thënë se do të vazhdojë puna e grupeve të përbashkëta punuese, në mënyrë që të ketë rezultate konkrete për ngritjen e kapaciteteve të qëndrueshme profesionale dhe administrative të sistemit prokurorial të Kosovës.