Lajm - Kpk | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Mbyllet “Java për të Drejtat e Viktimave të Krimit”

Prishtinë, 23 tetor 2020 - Nën patronatin e Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, nga data 19 deri më 23 tetor 2020 u organizua 11-vjetori i Javës për të Drejtat e Viktimave të Krimit”, me moton “Mbrojtja e Viktimave të Krimit, mision ynë edhe gjatë pandemisë”.

Për shkak të rrethanave të shkaktuara nga Covid-19, Java është hapur me adresimin e Kryeprokurorit të Aleksandër Lumezi, përmes një videofjalimi, për të vazhduar me pas me videomesazhet e Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, Ambasadorit të SHBA-së në Kosovë, Philip Kosnett dhe Ministrit të Drejtësisë, Selim Selimi.

E veçanta e këtij viti ishte organizimi i webinareve online përmes platformës “Zoom”, dhe prezantimi i panelistëve të ndryshëm, ku pjesëmarrës ishin afër 200 zyrtarë të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare si dhe pjesëmarrës nga shoqëria civile, cilët përgjatë Javës diskutuan për temat të cilat ishin të ndara në sesione të ndryshme, duke filluar nga:

1. ”Dhuna në familje dhe veprimet e institucioneve për trajtimin e saj gjatë pandemisë”.

 2. “Abuzimi i fëmijëve dhe sulmet seksuale: nevoja për trajtimin me prioritet të rasteve të abuzimeve seksuale”.

 3. “Qasja e përgjithshme ndaj viktimave në kohën e pandemisë”.

4. “Trafikimi i qenieve njerëzore, koordinatorët e caktuar dhe vështirësitë në identifikimin, hetimin dhe   ndjekjen e rasteve” dhe

5. “Kompensimi i viktimave të krimit: risitë në fushën e kompensimit të viktimave të krimit”.

Në fund të secilës ditë dhe temë specifike janë dhënë rekomandime me qëllim të përmirësimit dhe angazhimit të mëtutjeshëm të institucioneve përkatëse për ofrim të shërbimeve më efikase dhe dhënien e dënimeve meritore për kryerësit e veprave.

Rekomandimet konkrete të dala nga diskutimet e organizuara në sesione janë si në vijim:

  • Të sigurohene programe rehabilitimi për viktimat, sidomos programe reintegrimi  dhe strehimi afatgjatë, të parashihen në strategji kombëtare;
  • Të caktohen prokurorë dhe gjyqtarë meshkuj për dhunën në familje;
  • Të realizohen takime online, të mos ngel bashkëpunimi për rastet e dhunës në familje;
  • Të mbështeten strehimoret nga niveli qendror dhe shërbimet tjera për viktimat;
  • Të sigurohen programe rehabilitimi edhe për kryerësit e veprave penale;
  • Të hartohen protokolle për rastet e abuzimit seksual të fëmijëve, në mënyrë që të ketë reagim të unifikuar dhe konsistencë në trajtimin e këtyre rasteve në tërë Kosovën;
  • Të krijohen programe specifike për trajtimin e viktimave fëmijë edhe pas përfundimit të procedurave gjyqësore;
  • Të krijohen kushte adekuate në gjykata, dhoma të pritjes dhe intervistimit të viktimave fëmijë;
  • Të adresohet dëmshpërblimi dhe referimi në programin e kompensimit;
  • Të krijohen programe edukative për prezantimin e rasteve të abuzimit seksual të fëmijëve në media që të mos shpaloset identiteti i tyre;
  • Të krijohet fleksibilitet në punën me viktima dhe qasja të jetë pro viktimës dhe t’i jepet më shumë hapësirë viktimës;
  • Të merret parasysh udhëzimi i Gjykatës Supreme në lidhje me nenin 248 të Kodit Penal, kur të vendoset për veprën penale të dhunës në familje, duke mos anashkaluar dhunën ekonomike dhe psikologjike;
  • Shmangia e ballafaqimit mes viktimës dhe kryerësit për t’u mbrojtur nga riviktimizimi;
  •  Krijimi i një databaze të unifikuar për rastet e trafikimit të njerëzve;
  • Të thjeshtësohen procedurat për kompensim të viktimave dhe të rritet numri i veprave penale të cilat kompensohen, si dhe
  • Zgjatja e afateve ligjore për aplikim.

“Java për të Drejtat e Viktimave të Krimit”, që organizohet nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, ka për qëllim nderimin e viktimave të krimit dhe rritjen e vetëdijes institucionale dhe shoqërore për të drejtat e tyre.