Lajm - Kpk | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Mbahet takimi i parë i Grupit punues për hartimin e modaliteteve të reformës në sistemin e drejtësisë  

Prishtinë, 29 korrik 2020 – Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Bahri Hyseni, ka marrë pjesë sot përmes platformës online në takimin e parë të Grupit punues për hartimin e modaliteteve dhe skenarëve për çështje të reformës në sistemin e drejtësisë.
 
Me këtë rast, Kryesuesi i KPK-së, Bahri Hyseni, fillimisht ka përshëndetur përfaqësuesit e institucioneve pjesëmarrëse, të shoqërisë civile dhe përfaqësuesit e ambasadave në Kosovë, si dhe të gjithë anëtarët e tjerë të grupit punues, duke shprehur bindjen e tij se kjo nismë për reformën e sistemit të drejtësisë do të ketë sukses të plotë.
 
Gjithashtu, Kryesuesi Hyseni, ka mbështetur këtë proces të rëndësishëm, i cili, sipas tij, do të ndikojë në ngritjen e profesionalizmit dhe besueshmërisë në sistemin e drejtësisë. 
 
Kryesuesi i KPK-së, Hyseni, është anëtar i këtij grupi punues, grup ky, i cili është themeluar javën e kaluar me vendimin të Qeverisë së Republikës së Kosovës, me qëllim të adresimit të llogaridhënies, zhvillimit të reformimit  të sektorit të drejtësisë, përfshirë edhe vetingun.