Lajm - Kpk | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Drejtori i Përgjithshëm, Krasniqi: Menaxhimi i llogaridhënies, në fokus të shtuar të angazhimeve të administratës për vitin 2020

Prishtinë, 15 nëntor 2019 – Drejtori i Përgjithshëm i Sekretariatit të KPK-së, Lavdim Krasniqi, tha se ngritja sistematike e kapaciteteve, avancimi i koordinimit dhe menaxhimi i llogaridhënies do të jenë në fokus të shtuar të angazhimeve të administratës së sistemit prokurorial në vitin e ardhshëm. Këto komente i bëri në tryezën e diskutimit të prioriteteve për Planin e punës për vitin 2020, në të cilën morën pjesë Drejtori i Njësitit për Shqyrtimin e Performancës së Prokurorive, Valon Jupa, administratorët e prokurorive, udhëheqësit e njësive organizative dhe zyrtarë të tjerë të sistemit prokurorial.   

Me këtë rast, Drejtori i Përgjithshëm, Krasniqi, ka folur për mbështetjen në ofrimin e shërbimeve sipas nevojave të trupave të KPK-së dhe PSH-së, caktimin e objektivave të përgjithshme dhe të veçanta, mënyrën dhe metodologjinë e hartimit të Planit të punës për vitin 2020, si dhe vendosjen e standardeve të kërkuara për zbatimit efikas dhe efektiv të tij.

Gjithashtu në këtë kontekst është trajtuar edhe organizimi i punës ekipore në formë gjithëpërfshirëse, planifikimi dhe zbatimi në kohë i proceseve të punës, komunikimi interaktiv dhe ofrimi transparent i informacionit të jashtëm, standardizimi i proceseve të punës, si dhe ofrimi i mbështetjes për KPK-në dhe PSH-në lidhur me koordinimin e partnerëve dhe donatorëve për zhvillim institucional të sistemit prokurorial.

Në përfundim të kësaj tryeze u vendos që draftet e planeve të punës të njësive organizative për vitin 2020 të jenë të gatshme gjer në fund të nëntorit, në mënyrë që në fundvit të procedohet drafti final për miratim në Këshillin Prokurorial.