Lajm - Kpk | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Vetingu në Kosovë, temë e tryezës së diskutimit

Prishtinë, 28 shkurt 2020 – Si të implementohet një proces në mënyrë që të sigurohet pavarësi e plotë e sistemit të drejtësisë, ishte tema e tryezës së sotme të diskutimit, e organizuar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, me ç’rast është diskutuar për procesin e vetingut në Kosovë, në të cilën kanë marrë pjesë Kryesuesi i Këshillit Prokurorial, Bahri Hyseni dhe Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor, Skender Çoçaj, Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, deputetë të Kuvendit të Kosovës, përfaqësuesit e Ambasadës Amerikane, Ambasadës Britanike dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile në Kosovë. 

Në këtë kontekst, në cilësinë e panelistit, Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Bahri Hyseni, ka thënë se vetingu duhet të jetë i përhershëm dhe një proces që zhvillohet çdo ditë me anë të mekanizmave legjitimë ligjorë dhe kushtetues.

Kryesuesi Hyseni ka theksuar se kur flasim për perceptimin publik duhet të themi qartazi se në çdo mbledhje apo në secilin deklarim tonin publik nuk kemi thënë asnjëherë se jemi të kënaqur me punën që bëjmë, porse kemi theksuar se jemi duke punuar e angazhuar dhe kemi rezultate të prekshme. “Andaj, më duhet t’ju them se nuk është faji ynë që nuk po bëhet liberalizimi i vizave, sepse kemi shkresë zyrtare që i kemi kryer punët tona. Megjithatë, prapëseprapë, perceptimi është negativ, por nuk është negativ vetëm për sistemin e drejtësisë dhe askush nuk mund te krenohet me këtë, por ky perceptim ekziston edhe për politikën, komunat, legjislativin dhe shumë të tjera, prandaj këtë perceptim duhet ndryshuar për të mirën e shtetit të Kosovës”, ka thënë Kryesuesi Hyseni në fjalën e tij para pjesëmarrësve. 

Rrjedhimisht, diskutuesit e tjerë të tryezës kanë folur për mënyrat dhe rrugët e mundshme për ta zbatuar një proces të tillë, duke pasur parasysh sfidat dhe problemet aktuale që i ka sistemi i drejtësisë, i cili duhet të jetë i bazuar në ligjet dhe Kushtetutën e vendit.