Lajm - Kpk | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Prokuroria e Shtetit vazhdoi debatin me qytetarët e Prishtinës

Prishtinë- 29 qershor 2011- Me qëllim që prokuroritë të jenë sa më pranë qytetarit dhe në kuadër të angazhimit për rritje të transparencës së punës së prokurorive të Republikës së Kosovës, për të parën herë në vendin tonë po shënohet fushata “Prokuroritë më afër qytetarëve”.

Në kuadër të kësaj fushate sot, në Prishtinë u mbajt debat me qytetarë.

Pjesëmarrës në këtë debat ishin përfaqësues nga shoqëria civile, nga mediat, nga partitë politike dhe qytetarë të këtyre komunave, të cilët patën mundësinë të komunikojnë me kryeprokurorin e Shtetit, z. Ismet Kabashi, me zëvendëskryeprokuroren e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, znj. Sevdije Morina, me kryeprokurorin e Prokurorisë së Qarkut në Prishtinë, z. Aleksandër Lumezi, me kryeprokurorin e Prokurorisë Komunale në Prishtinë, z. Haki Gecaj dhe me koordinatoren për lëndë të korrupsionit, prokuroren Drita Hajdari.

Me këtë rast kryeprokurori i Shtetit, z. Ismet Kabashi, theksoi se prokurorët janë të interesuar që të jenë plotësisht transparent karshi qytetarëve, shoqërisë civile dhe mediave, duke iu bërë thirrje qytetarëve që të bashkëpunojnë sa më ngushtë me prokurorët.

Kryeprokurori Kabashi njoftoi se viti 2010 ka qenë një vit i suksesshëm për prokurorët, ku edhe pse prokurorët janë përballur me një vëllim të madh të punës, kualiteti i kësaj pune matet me vendimet për konfirmimin e aktakuzave, e 95% të aktakuzave të ngritura nga prokurorët, janë konfirmuar nga gjyqtarët.

Gjithashtu, kryeprokurori Kabashi informoi se janë krijuar parakushtet normale që prokuroria të jetë institucion i pavarur, ku baza materiale e prokurorëve është përmirësuar dukshëm dhe me aprovimin e Ligjit për Prokurorin e Shtetit dhe atij për Këshillin Prokurorial dhe me funksionalizimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës është siguruar edhe pavarësia e prokurorëve.

Kryeprokurori Kabashi, gjithashtu, theksoi se lëndëve që kanë të bëjnë me krimin e organizuar dhe me korrupsionin, prokurorët i kushtojë vëmendje të veçantë ku janë krijuar task-forca për luftën kundër korrupsionit dhe ajo kundër krimit të organizuar.

Debati ka vazhduar me zëvendëskryeprokuroren e Prokurorisë Speciale, znj. Sevdije Morina, e cila prezantoi historikun e funksionimit të kësaj prokurorie, ku tha se “kjo prokurori është themeluar në vitin 2006, ndërsa në vitin 2008 është miratuar ligji për Prokurorinë Speciale”. Zëvendëskryeprokurorja Morina theksoi se Prokuroria Speciale ka sektorin kundër terrorizmit, sektorin kundër krimeve të luftës, sektorin kundër krimit të organizuar dhe sektorin kundër shpëlarjes së parave, ku për secilin sektor janë të profilizuar prokurorë të posaçëm, si dhe është duke iu kushtuar vëmendje e veçantë trajtimit të lëndëve që kanë të bëjnë me krimin e organizuar dhe korrupsionin.
Kryeprokurori i Prokurorisë së Qarkut të Prishtinës, z. Aleksandër Lumezi, njoftoi se kjo prokurori është shumë e ngarkuar sa i përket numrit të lëndëve dhe territorit që e mbulon. Kjo prokurori përfshinë rreth 45% të territorit të Republikës së Kosovës, me rreth një milion banorë dhe përfshinë shumicën e institucioneve qendrore dhe publike të Kosovës. Kryeprokurori Lumezi theksoi se pa marrë parasysh këtë fakt, kjo prokurori ka qenë prokuroria më e suksesshme dhe më efikase, ku vetëm një prokuror ka proceduar me mbi 180 lëndë brenda vitit 2010. Edhe kryeprokurori Lumezi theksoi se organi i akuzës është duke bërë përpjekje maksimale që jetë një institucion llogaridhënës dhe transparent.

Edhe kryeprokurori i Prokurorisë Komunale në Prishtinë, z. Haki Gecaj, informoi se Prokuroria Komunale në Prishtinë është prokuroria më e ngarkuar me lëndë, ku vetëm gjatë pesë muajve të parë të këtij viti, janë pranuar mbi 3400 lëndë për të rritur, mbi 165 lëndë për të mitur, rreth 1716 lëndë të ndryshme dhe 3943 kallëzime penale kundër personave të panjohur. Kryeprokurori Gecaj shtoi se prioritet i kësaj prokurorie ka qenë hetimi mbi keqpërdorimet e komisionarëve gjatë zgjedhjeve të vitit të kaluar, ku deri më tani janë zgjedhur rreth  64 lëndë dhe hetimet janë duke u zhvilluar dhe për disa raste të tjera.

Ndërkaq, z. Petrit Zogaj, përfaqësues nga ”Lëvizja FOL” tha se kjo lëvizje në bashkëpunim me kryeprokurorin e Shtetit kanë nisur fushatën “Prokuroritë më afër qytetarit”, përmes së cilës të dyja palët synojnë të rrisin informacionin për rolin dhe punën e prokurorive, të nxisin qytetarët të bashkëpunojnë me prokuroritë, si dhe të diskutojnë për punën e prokurorive nëpër regjione.

Kjo fushatë është organizuar nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit në bashkëpunim me Lëvizjen FOL dhe në kuadër të saj janë mbajtur debate me qytetarë në 7 komunat më të mëdha të vendit tonë.