Lajm - Kpk | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Me moton thyeje heshtjen, ndal abuzimin ndaj fëmijëve, ndal dhunën në familje, në Shtërpcë u përmbyll “Java për të drejtat e viktimave të krimit”

Shtërpcë, 21 tetor 2011 –  Në kuadër të aktiviteteve të shumta që po mbahen për të shënuar ”Javën për të drejtat e viktimave të krimit”, sot në Shtërpcë u mbajt një ceremoni, për të nderuar viktimat me qëllim të ngritjes së vetëdijes për të drejtat e tyre.

Edhe me këtë rast kryeprokurori i shtetit z. Ismet Kabashi, kërkoi angazhim gjithëpërfshirës të autoriteteve dhe mekanizmave, si dhe kërkoi përkrahjen e qytetarëve që t’iu dalin në mbrojtje viktimave, të çfarëdo natyre qofshin ato.

Kryeprokurori i Shtetit z. Ismet Kabashi theksoi se: “Gjatë punës shumëvjeçare si prokuror ka qenë dëshmitar i dhimbjes, tronditjes dhe pasojave të viktimave, të cilat shpeshherë kanë qenë shkatërrimtare. Tani si Kryeprokuror i Shtetit siguroj se të gjithë prokurorët do të ushtrojnë autoritetin e tyre për të respektuar të drejtat e viktimave, për t’i trajtuar ato me dinjitet dhe për tu kujdesur për realizimin e të drejtave të tyre, duke përfshirë edhe të drejtën e kompensimit nga dobia pasurore e fituar me anë të krimit”.

Kryeprokurori i Shtetit z. Ismet Kabashi kërkoi që viktimat në procedurat penale të trajtohen me drejtësi dhe dinjitet.

Në emër të Ministrisë së Drejtësisë, ceremoninë e përshëndeti këshilltari politik në këtë ministri z. Driton Lajçi, i cili theksoi se rendi dhe ligji është prioritet i gjitha institucioneve të Republikës së Kosovës.

Ndërkaq, organizimin e “Javës për të drejtat e viktimave të krimit”, në emër të Ambasadës Amerikane në Prishtinë, e përshëndeti z. Michael Murphy, zëvendës shef i Misionit në këtë ambasadë, i cili premtoi përkrahje të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për viktimat e krimit në vendin tonë.

Nga ana tjetër edhe kryetari i Komunës së Shtërpcës, z. Bratislav Nikoliç, theksoi përkushtimin e tij dhe të institucionit që ai drejton, në mbështetje të çdo iniciative që ka të bëjë me mbrojtjen e të drejtave të viktimave të krimit.

Edhe drejtori i Policisë Rajonale në Ferizaj, kolonel Izet Azizi, tha se Policia e Kosovës është e përkushtuar për të mbrojtur të gjitha viktimat dhe për të kapur autorët  e krimeve.

Për nderë të viktimave të krimit mysafire nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës ishin edhe znj. Michelle Scott, Koordinatore e viktimave, për Qarkun Lindor të Karolinës së Veriut dhe znj. Joye Frost, ushtruese detyre e drejtoreshës së Zyrës për viktimat e krimit, në Washington.

Gjatë kësaj ceremonie ishte e pranishme dhe e rrëfeu historinë e saj edhe një viktimë e dhunës në familje nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e cila ka arritur t’i tejkaloj padrejtësitë dhe shkeljet që i janë bërë dhe tani jeton jetën me shpresë për një të ardhme të suksesshme të saj.

“Java për të drejtat e viktimave të krimit”, e cila u përmbyll me ceremoninë e mbajtur sot në Shtërpcë, është mbajtur nën patronazhin e Kryeprokurorit të Shtetit.