Lajm - Kpk | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Këshilli Prokurorial i Kosovës, në një takim të jashtëzakonshëm rishqyrtoi vendimin e datës 21 korrik 2011, me nr. 119/2011

Prishtinë, 10 nëntor 2011- Në mbledhjen e mbajtur sot, Këshilli Prokurorial i Kosovës, me shumicë votash vendosi të pezulloi përkohësisht zbatimin e pikës 1 të vendimit të datës 21 korrik 2011, me nr. 119/2011. Këshilli vendosi që të mbetet në fuqi pika 2 e vendimit, e cila përcakton kompensimin e kujdestarisë së prokurorëve dhe stafit mbështetës të sistemit prokurorial.

Gjithashtu, Këshilli u pajtua që vendimin e sotëm ta rishqyrtoi në një të ardhme të afërt dhe se do të ndërmarr veprime të nevojshme për të siguruar qëndrueshmërinë e sektorit të drejtësisë në Kosovë dhe mirëqenies së prokurorëve dhe stafit mbështetës.

Këshilli konstatoi se vendimi nr. 119/2011 ka qenë në pajtim me ligjin e aplikueshëm në Republikën e Kosovës dhe si i tillë nuk ka cenuar asnjë dispozitë kushtetuese apo ligjore në Kosovë dhe se ishte marrë në përputhje të plotë me mandatin që ka Këshilli Prokurorial, si institucion i pavarur në menaxhimin e gjithmbarshëm të sistemit prokurorial të Republikës së Kosovës, përfshirë edhe çështjet buxhetore. Gjithashtu, ky vendim (nr. 119/2011 ), është marrë pas konsultimit dhe koordinimit të plotë me institucionet përgjegjësie për menaxhimin e buxhetit të Republikës së  Kosovës.

Megjithatë, Këshilli këtë vendim për pezullimin e përkohshëm të pikës 1 të vendimit të lartcekur e mori bazuar në situatën e krijuar dhe pakënaqësitë e shprehura nga pjesë tjera të sektorit të drejtësisë në Republikën e Kosovës, pas hyrjes në fuqi të këtij vendimi.

Vendimin e sotëm, Këshilli e bazoi, gjithashtu në qëllimin e mirë që ka ky Këshill për ruajtjen e stabilitetit dhe qëndrueshmërisë së sistemit të drejtësisë dhe për ofrimin e mundësive që i gjithë sektori i drejtësisë të ketë të njëjtën përkrahje buxhetore në të ardhmen.

Këshilli Prokurorial i Kosovës do të mbetet edhe më tutje i përkushtuar në përpjekjet e veta dhe koordinimin e aktiviteteve me të gjitha institucionet relevanente në Kosovë, për të siguruar kushte sa më të mira për prokurorët dhe stafin mbështetës të prokurorëve të Kosovës.