Lajm - Kpk | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Tryezë e përbashkët nga përfaqësuesit e institucioneve të drejtësisë

Prishtinë, 22 qershor 2016, Është mbajtur sot tryeza e organizuar nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) me temën “Mekanizmi Koordinues për fuqizimin e sundimit të ligjit”, me pjesëmarrës nga Këshilli Prokurorial i Kosovës, Këshilli Gjyqësor, Ministria e Drejtësisë dhe Instituti Gjyqësor.

 Pjesëmarrësit e kësaj tryeze kanë diskutuar për zhvillimin e dialogut institucional në mes të institucioneve të sektorit të drejtësisë në Kosovë, mbështetjen për zhvillimin e planeve strategjike, mbështetjen në proceset e përpilimit të ligjeve, trajnimet e gjyqtarëve dhe prokurorëve si dhe  për objektivat dhe prioritetet për të ardhmen.

Gjatë kësaj tryeze, nga të gjithë pjesëmarrësit u vlerësua rëndësia e koordinimit të këtyre institucioneve të drejtësisë në mënyrë që rendi dhe sundimi i ligjit në Kosovë të fuqizohet.

Zëvendëskryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Idain Ismailji, ka përshëndetur organizimin e këtij takimi për të debatuar me krerët e institucioneve të Kosovës të sektorit të drejtësisë çështjet me interes të përbashkët.

Ismailji, ka thënë se mekanizmi i koordinimit të institucioneve të drejtësisë i mbështetur nga UNDP-ja, nëpërmes këshilltarëve të caktuar në institucionet tona përkatëse, ka kontribuar në jetësimin e reformës në drejtësi, në mënyrë të vazhdueshme.

“UNDP përmes këshilltarit ligjor në KPK, gjatë muajve të kaluar, ka ndihmuar KPK-në në planifikimin strategjik, në mbështetjen e Komisionit për Çështje Normative, si dhe në mbështetjen e KPK-së dhe ZKPSH-së në procesin e integrimit evropian. Mbështetja e UNDP-së ka qenë një ndihmë jashtëzakonisht e madhe duke pasur parasysh faktin që KPK ka arritur që brenda vitit të plotësojë kuadrin ligjor me akte nënligjore të cilat kanë qenë obligim nga ndryshimet ligjore të ligjeve bazike të sistemit prokurorial”, ka thënë zëvendëskryesuesi Isamilji.

Po ashtu, Ismailji u shpreh se një përkushtim të veçantë UNDP-ja ka dhënë edhe me rastin e organizimit të disa punëtorive dhe tryezave të përbashkëta me KPK-në dhe prokurorët në çështjen e hartimit të strategjive dhe planeve të punës, procesit të rekrutimit të prokurorëve, hartimit të akteve nënligjore dhe çështjeve tjera me interes për sistemin prokurorial.

“Për më tepër, UNDP ka mbështetur KPK-në dhe ZKPSH-në, në çështjen e integrimeve evropiane. Kjo organizatë ka kontribuar në koordinimin e aktiviteteve të KPK-së dhe ZKPSH-së lidhur me raportin e progresit të BE-së, liberalizimin e vizave dhe zbatimin e MSA-së. Posaçërisht, në koordinimin në çështjen e integrimit të minoriteteve në sistemin prokurorial”, është shprehur Ismailji, duke theksuar se KPK-ja vlerëson punën dhe mbështetjen e UNDP nëpërmes Mekanizmit Koordinues dhe shpreson që edhe në të ardhmën do të kemi mbështetjen e tyre, me qëllim të rritjes së efikasitetit në institucionin tonë.

Organizimin e këtij takimi e kanë përshëndetur, Hajredin Kuçi, zëvëndëskryeministër dhe ministër i Drejtësisë, Alessandra Roccassalvo, zëvendëse e Përfaqësuesit Permanent të Programit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, si dhe Agim Maliqi, anëtar i Këshillit Gjyqësor të Kosovës.