Zëvendëskryesuesja e KPK-së, znj.Jehona Grantolli, pjesë e Konferencës “Zbatimi i Konventës së Stambollit përmes praktikës gjyqësore: Dialogu gjyqësor për një përgjigje gjyqësore efektive“
Prishtinë, 15 mars 2024
Zëvendëskryesuesja e Këshillit Prokurorial të Kosovës, znj.Jehona Grantolli, ka marrë pjesë në Konferencën me titull “Zbatimi i Konventës së Stambollit përmes praktikës gjyqësore: Dialogu gjyqësor për një përgjigje gjyqësore efektive“, të organizuar nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, në bashkëpunim me Këshillin e Evropës dhe Qendrën AIRE.
Gjithashtu, në konferencën e sotme kanë marrë pjesë përfaqësues të sistemit gjyqësor dhe prokurorial, Policisë e Kosovës dhe përfaqësues të autoriteteve qeveritare, organizatave ndërkombëtare, ambasadave dhe shoqërisë civile.
Fillimisht, një fjalë rasti mbajti Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, znj. Gresa Caka- Nimani, kurse ndër folësit kryesorë ishin Komisionerja për të Drejtat e Njeriut e Këshillit të Evropës dhe Kryetari i Bordit të Patronëve të Rrjetit Gjyqësor të Kampionëve të Çështjeve Gjinore dhe ish-Kryetari i Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, kurse në sesionin e dytë, në mesin e panelistëve ishte edhe prokurorja, njëkohësisht koordinatorja për veprat penale të dhunës në familje në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, znj. Sevdije Morina.
Në të dyja sesionet e mbajtura sot janë zhvilluar diskutime për zgjidhjet praktike të zbatimit të Konventës së Stambollit, përmirësimin e përgjigjes së sistemit të drejtësisë ndaj dhunës kundër grave dhe dhunës në familje, si dhe për forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional në mënyrë që të sigurohen masa efektive për parandalimin, hetimin dhe ndjekjen penale të këtyre krimeve.