Lajm - Kpk | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Mbahet takimi i rregullt i mekanizmit koordinues për rastet e dhunës në familje

 

Prizren, 26 Dhjetor 2023- Në Prokurorinë Themelore në Prizren është mbajtur takimi i rregullt (përmbyllës për vitin 2023), i mekanizmit koordinues me akterët të cilët merren me trajtimin e rasteve dhe veprave penale të dhunës në familje, brenda kompetencës së kësaj prokurorie.

Në këtë takim, thirrur dhe organizuar nga Prokurorja dhe Koordinatorja për rastet e dhunës në familje znj. Mehreme Hoxha, ishin të pranishëm përfaqësues nga Policia e Kosovës për Regjionin e Prizrenit, përfaqësues nga Gjykata Themelore në Prizren, përfaqësues nga Drejtoria e Arsimit në Prizren, përfaqësues nga Qendra për Punë Sociale, Strehimorja, Avokati i Popullit, si dhe Shërbimi Sprovues.

Prokurorja znj. Mehreme Hoxha, njoftoi se në periudhën Janar – Dhjetor 2023, Prokuroria Themelore në Prizren ka pranuar treqind e njëzet e katër (324) kallëzime penale, lidhur me veprat penale të dhunës në familje. Ndërsa, gjatë kësaj periudhe janë kryer gjithsejt dyqind e nëntëdhjetë e gjashtë (296) lëndë të kësaj natyre.

Në këtë takim, të gjithë pjesëmarrësit vlerësuan lartë bashkëpunimin që ekziston në mes institucioneve kompetente për trajtimin e këtyre rasteve, dhe u theksua se rastet e dhunës në familje, janë rastet më të vështira për trajtim, sidomos sfiduese janë rastet kur kemi të bëjmë me kryes me çrregullime mendore, si dhe me kryes të varuar nga droga, alkooli etj. Po ashtu, u theksua edhe mungesa e institucioneve adekuate për trajtimin e këtyre personave. Gjithashtu, u potencua edhe rëndësia e mbajtjes së fushatave informuese në shkolla për ndërgjegjësimin e fëmijëve dhe të rinjëve për dhunën në familje si dhe për dhunën në përgjithësi.

Gjatë këtij takimi, u diskutua edhe për “Ligjin për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna në familje, dhuna ndaj grave dhe dhuna në baza gjinore”.

Në fund të takimit, të gjithë pjesëmarrësit u dakorduan që do të vazhdojnë bashkëpunimin, në mënyrë që të gjitha institucionet relevante t’i kryejnë detyrat dhe obligimet e tyre me përgjegjësi dhe profesionalizëm, në mënyrë që viktimat e dhunës në familje të trajtohen me profesionalizëm dhe me dinjitet të plotë.