Lajm - Kpk | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Në Prokurorinë e Prizrenit u mbajt takimi në kuadër të Javës për të Drejtat e Viktimave të Krimit

 

Prizren, 24 tetor 2023- Nën patronatin e Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, sot, në Prizren është mbajtur takimi në kuadër të “Javës për të drejtat e viktimave të krimit”, me moton “Mbroje viktimën, parandaloje ri-viktimizimin”.

Në këtë takim të udhëhequr nga Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, z. Admir Shala, ishin të pranishëm prokurori Idain Smajli nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, gjyqtar nga Gjykata Themelore në Prizren, përfaqësues nga Policia e Kosovës për Rajonin e Prizrenit, Zyra për mbrojtje dhe ndihmë të viktimave, përfaqësues nga Qendra për punë sociale, Shërbimi Sprovues, përfaqësues nga Agjencioni për ndihmë juridike falas, përfaqësues nga Strehimorja si dhe përfaqësues nga OSBE-ja.

Gjatë këtij takimi, në fjalën e tij, Kryeprokurori Shala theksoi se këtë javë ne bashkohemi për të nderuar viktimat dhe të mbijetuarit e krimit, e gjithashtu edhe ata që u shërbejnë këtyre viktimave çdo ditë.

Kryeprokurori Shala, kërkoi nga institucionet relevante që viktimat e krimit të trajtohen me respekt dhe me profesionalizëm.

“Për viktimat e krimit, drejtësi do të thotë që ata të trajtohen me respekt, të dëgjohen me kujdes dhe zëri i tyre të jetë vendimtar në vendimet e organeve të drejtësisë” tha Shala.

Kryeprokurori Shala, theksoi rëndësinë e vlerësimit të rrezikshmërisë, me theks të veçantë tek dhuna në familje, veprat penale kundër integritetit seksual, trafikimit me qenie njerëzore etj.  Në këtë takim është diskutuar edhe roli dhe rëndësia e zbatimit të Udhëzuesit të Kryeprokurorit të Shtetit, mbi rolin dhe kontributin e prokurorit të shtetit në matjen e dënimit.

Po ashtu, edhe të pranishmit tjerë në këtë takim, gjatë fjalës së tyre përmenden punën e institucioneve përkatëse lidhur me trajtimin e viktimave të krimit si dhe sfidat në trajtimin e këtyre rasteve.

Në fund, të takimit, të gjithë pjesëmarrësit u dakorduan që do të vazhdojnë bashkëpunimin, në mënyrë që të gjitha institucionet relevante t’i kryejnë detyrat dhe obligimet e tyre me përgjegjësi dhe profesionalizëm, në mënyrë që viktimat e krimit të trajtohen me profesionalizëm dhe me dinjitet të plotë.