Lajm - Kpk | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Mbahet në Mitrovicë tryeza në kuadër të javës për të drejtat e viktimave të krimit

Mitrovicë, 27 tetor 2022 – Në kuadër të shënimit të javës për të drejtat e viktimave të krimit, organizuar nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, është mbajtur sot në Mitrovicë tryeza me partnerë ndërinstitucionalë, me moton Moment reflektimi i zingjirit institucional“.   

Kjo tryezë është udhëhequr nga Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë Ismet Ujkani, dhe pjesëmarrës në të kanë qenë përfaqësues të prokurorisë, gjykatës, policisë, zyrës për ndihmë dhe mbrojtje viktimave, strehimoreve, organizatave jo-qeveritare etj.

Sipas Kryeprokurorit Ujkani, organizimi i kësaj tryeze ka për qëllim që secili institucion të reflektojë për ndërmarrjen e të gjitha veprimeve, në mënyrë që viktimat e krimit të kenë shërbimet e duhura dhe të u ofrohet drejtësi.

Sipas Ujkanit, angazhimi i të gjitha institucioneve përgjegjëse për mbrojtjen e viktimave të krimit nuk duhet të mungojë, kryerësit e krimeve duhet të ndëshkohen, ndërsa viktimave të krimit duhet të ju garantohen të drejtat – e drejta për mbrojtje dhe strehim, e drejta për trajtim me respekt dhe dinjitet, e drejta për të pranuar kompensim dhe dëmshpërblim, dhe të drejta tjera sipas ligjit.

Në tryezë ka qenë pjesëmarrës dhe një prokuror nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i cili ndau përvojat e tij nga puna si prokuror, që do të jenë të dobishme për institucionet ligj zbatuese në Kosovë.

Në fund të diskutimeve, u dakordua se do të nxjerrën konkluzione të cilat do të shërbejnë për ngritjen e efikasitetit gjatë trajtimit të këtyre rasteve të ndjeshme për shoqërinë.