Lajm - Kpk | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Trajnim i avancuar i aftësive juridike të prokurorëve nga rajoni i Mitrovicës

Durrës, 13 shtator 2022 - Ka filluar trajnimi tre ditor për aftësitë e avancuara ligjore të prokurorëve nga rajoni i Mitrovicës, mbështetur nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), e në të cilin po marrin pjesë U.D. Kryeprokurori i Shtetit, Besim Kelmendi, Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë Ismet Ujkani, si dhe prokurorët dhe stafi i kësaj prokurorie.

Në fjalimin e hapjes së trajnimit, të pranishmëve me një fjalë rasti u është drejtuar U.D. Kryeprokurori i Shtetit Besim Kelmendi, i cili ka falënderuar OSBE për përkrahjen e vazhdueshme që i ka dhënë Prokurorisë Themelore në Mitrovicë. Sipas Kelmendit, është tepër e rëndësishme që të qëndrojmë bashkë si profesionistë për të luftuar kriminelët dhe grupet kriminale, si dhe i porositi prokurorët e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë që të vazhdojnë të punojnë në mënyrë të pavarur dhe pa ndikime. Po ashtu, sipas Kelmendit, Prokuroria Themelore në Mitrovicë do të ketë përkrahjen e Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit në kryerjen e punëve dhe angazhimeve të përditshme.

 Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë Ismet Ujkani, ka thënë se pavarësisht kushtet në të cilat punon kjo prokurori, duke ju falënderuar angazhimit dhe bashkëpunimit mes prokurorëve dhe stafit, rezultatet e punës janë të mira. Sipas Ujkanit ky trajnim i avancuar do të kontribuojë në ngritjen profesionale të prokurorëve, zgjerimin e aftësive të prokurorëve, si dhe raporteve të të gjithë të punësuarve në këte institucion.

Në këtë trajnim në cilësinë e ligjëruesit po ligjërojnë prokurorët e Prokurorisë Themelore të Mitrovicë Naim Beka dhe Radica Milic.

Në trajnim do të ligjërohet për Kapitullin XIV nga Kodi i Procedurës Penale – Procedura Alternative në temën “Negocimi i marrëveshjes për pranimin e fajësisë”, si dhe Kapitulli XXI i Kodit Penal – Veprat penale kundër martesës dhe familjes, në temën  “Bashkësia jashtëmartesore me personin nën moshën gjashtëmbëdhjetë vjet”.

Në fund të trajnimit tre ditor do të nxjerrët përmbledhje e diskutimeve dhe konkluzioneve të këtij trajnimi, i cili do t`i ndihmojë prokurorëve të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë në kryerjen e punëve të përditshme.