Lajm - Kpk | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Diskutohet për objektivën e parë të projektit EUKOJUST

Prishtinë, 15 qershor 2021– Zëvendëskryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Veton Shabani dhe Kryetari i Komisionit për Çështje Normative, Armend Zenelaj, kanë mbajtur takim me ekspertin e projektit EUKOJUST, Kristian Turkalj.

Qëllimi i këtij takimi ishte diskutimi i aktiviteteve në kuadër të objektivës së parë të këtij projekti që ka të bëjë me Forcimin e kapaciteteve dhe koordinimin ndërinstitucional në sektorin e drejtësisë.

Në këtë takim u diskutua roli dhe kontributi që do të ketë sistemi prokurorial në këtë objektivë si dhe ndërveprimi me institucionet tjera relevante me qëllim të përfitimit sa më të madh dhe përmbushjes sa më të mirë të projektit.

Zëvendëskryesuesi Shabani tha se Këshilli Prokurorial është i gatshëm bashkëpunojë dhe të ofrojë kapacitetet e veta me qëllim të arritjes së objektivave të përbashkëta si dhe përfitimeve të sistemit prokurorial nga ky projekt.

Në anën tjetër, eksperti Turkalj shprehi gatishmërinë e tij profesionale për identifikimin e fushave dhe zhvillimin e aktiviteteve që priten të realizohen në kuadër të kësaj objektive.

Bashkëbiseduesit u pajtuan që të zhvillojnë koordinimin edhe me ekspertët tjerë që do të jenë të përfshirë në objektivën Forcimi i kapaciteteve dhe koordinimi ndërinstitucional në sektorin e drejtësisë të projektit EUKOJUST.