Lajm - Kpk | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Prezantohet Raporti special i EULEX-it për ndikimin e Covid-19 në sundimin e ligjit në Kosovë

Prishtinë, 18 maj 2021 – Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX) ka organizuar një konferencë, në të cilën prezantoi raportin e tij special për ndikimin e COVID-19 në sundimin e ligjit në Kosovë. Në mesin e pjesëmarrësve ishin shefi i këtij misioni, Lars-Gunnar Wigemark, Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Jetish Maloku, Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Skender Çoçaj, si dhe përfaqësues të tjerë të mekanizmave vendorë dhe ndërkombëtarë në Kosovë.

Fillimisht, Shefi i EULEX-it, Lars Gunnar Wigemark, ka shprehur vlerësimin e tij për menaxhimin e mirë të pandemisë nga ana e institucioneve të sistemit të drejtësisë në Kosovë. “Shtrirja e pandemisë na ka befasuar të gjithëve, por jam i befasuar se si institucionet e Kosovës janë ambientuar dhe me këtë situatë, duke e trajtuar pandeminë me seriozitet”, ka thënë ai.

Kurse, Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Jetish Maloku, gjatë fjalës së tij të rastit, tha se mirëpret këtë raport të çmuar, duke potencuar se COVID-19 vazhdon të ketë ndikim në funksionimin e institucioneve të sundimit të ligjit. “Pandemia COVID-19, ashtu sikurse edhe në çdo sferë jetësore, edhe në sistemin prokurorial të Kosovës, ka pasur efekte negative. Ky raport për ndikimin e COVID-19 në sundimin e ligjit në Kosovë është shumë i rëndësishëm për ne dhe publikohet në momentin e duhur”, tha Kryesuesi Maloku, duke vazhduar më tej se “Këshilli Prokurorial dhe Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, në bashkëpunim me projektin britanik ”Forcimi i sistemit të drejtësisë në Kosovë”, kanë hartuar Planin për menaxhimin e krizave në sistemin prokurorial dhe kanë përgatitur Udhëzuesin e përkohshëm për mbrojtje nga virusi COVID 19 në sistemin prokurorial të Kosovës”.

Në përmbyllje, pjesëmarrës të tjerë të këtij evenimenti, thanë se raporti rrjedhimisht ofron rekomandime konkrete dhe të zbatueshme për sistemin e sundimit të ligjit në Kosovë për t’u përgjigjur sa më mirë ndaj krizës shëndetësore që po vazhdon, me ç’rast veçanërisht vlen të përmenden një nga rekomandimet kryesor në këtë raport i të rëndësishëm, i cili nënvizon se autoritetet kosovare të drejtësisë në Kosovë duhet të reagojnë në përputhje me rrethanat, duke baraspeshuar ndikimin e masave kufizuese mbi të drejtat e tjera të njeriut dhe sundimin e ligjit në përgjithësi.