Lajm - Kpk | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Kryesuesi Maloku: Ndihem jashtëzakonisht i lumtur për vazhdimin e projektit britanik për fuqizimin e sistemit prokurorial  

Prishtinë, 8 prill 2021 – Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Jetish Maloku, ka pritur në takim drejtorin e projektit britanik për forcimin e sistemit gjyqësor në Kosovë, Ken Taylor.

Qëllimi i takimit të sotëm ishte njoftimi zyrtar për vazhdimin njëvjeçar të projektit britanik “Forcimi i sistemit gjyqësor në Kosovë”, vazhdim ky, i cili është arritur në saje të bashkëpunimit të shkëlqyeshëm të Këshillit Prokurorial të Kosovës me Ambasadën e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë.

Me këtë rast, Kryesuesi Maloku, falënderoi veçanërisht Qeverinë e Mbretërisë së Bashkuar dhe vlerësoi lart përkushtimin, angazhimin dhe vëmendjen e saj të madhe që ka treguar ndaj sistemit prokurorial të vendit tonë, duke theksuar se ndihet jashtëzakonisht i lumtur që ky projekt i rëndësishëm është vazhduar edhe për një vit.

Në anën tjetër, edhe z. Taylor, duke e vlerësuar të frytshëm bashkëpunimin e deritashëm me KPK-në, shprehu kënaqësinë e tij për vazhdimin e aktiviteteve, me anë të të cilave synohet forcimi i mëtejshëm i sistemit prokurorial të Republikës së Kosovës.

Të dy bashkëbiseduesit theksuan se do të angazhohen maksimalisht për identifikimin e nevojave të reja dhe për realizimin e aktiviteteve që tashmë janë identifikuar në kuadër të procesit të implementimi të këtij projekti.