Lajm - Kpk | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Prezantohet Projekti i USAID-it “Aktiviteti i drejtësisë në Kosovë”

Prishtinë, 1 shkurt 2021 – Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Jetish Maloku, priti në takim Drejtoreshën e Projektit të USAID-it “Aktiviteti për Drejtësi në Kosovë”, Geralyn Busnardo dhe Zëvendësdrejtoreshën Florije Manaj-Zogaj. Gjithashtu, në këtë takim ishte i pranishëm Drejtori i Përgjithshëm i SKPK-së, Lavdim Krasniqi dhe në formë virtuale morën pjesë edhe përfaqësues të tjerë, që angazhohen në kuadër të këtij projekti.  

Në këtë takim, qëllimi i të cilit ishte prezantimi i dinamikës së aktiviteteve në kuadër të Projektit “Aktiviteti i drejtësisë në Kosovë”, Kryesuesi i KPK-së falënderoi Drejtoreshën e këtij projekti për kontributin e USAID-it në të gjitha kohët, duke shprehur gatishmërinë për bashkëpunim gjatë realizmit të aktiviteteve të parapara për sistemin prokurorial. “Mirëpresim në çdo kohë përpjekjet e përbashkëta për përmirësimin e cilësisë së shërbimeve të sistemit prokurorial me anë të këtij projekti, me ç’rast do të kemi si rezultat rritjen e besimit të publikut, fuqizimin dhe ngritjen e kapaciteteve të sistemit prokurorial të Kosovës”, tha Kryesuesi Maloku.

Nga ana tjetër, Drejtoresha e këtij projekti, Geralyn Busnardo, shprehu urimet e saj për marrjen e detyrës nga ana e Kryesuesit të ri të KPK-së, duke e informuar atë lidhur me ketë program pesëvjeçar, i cili do të zbatohet për të mbështetur përpjekjet e institucioneve të drejtësisë në Kosovë, rritjen e besimit të publikut në institucionet e drejtësisë, organizatat e shoqërisë civile dhe aktorët e tjerë kryesorë në përmirësimin e ofrimit të qasjes së qytetarëve në shërbime cilësore të drejtësisë.

Ky program do të implementohet nga kompania amerikane, Chemonics International Inc, me seli në Uashington.