Lajm - Kpk | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Kryesuesi Maloku: Profesionalizimi, përkushtimi dhe puna ekipore e administratës së KPK-së do të kenë mbështetjen time të pakursyer

Prishtinë, 28 janar 2021 – Kryesuesi i ri i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Jetish Maloku, i shoqëruar nga Drejtori i Përgjithshëm i SKPK-së, Lavdim Krasniqi, ka mbajtur një takim me udhëheqësit e njësive organizative të Sekretariatit të KPK-së.

Pas marrjes së detyrës së Kryesuesit, ky takim, përveçse ishte njoftues, kishte për qëllim edhe shprehjen e përkrahjes dhe mbështetjes së tij për punën dhe angazhimin e vazhdueshëm dhe të përbashkët të stafit administrativ të KPK-së për zbatimin e prioriteteve dhe objektivave, të parapara për vitin 2021.

Natyrisht, ka thënë Kryesuesi i Këshillit Prokurorial, Jetish Maloku, se ngritja e performancës dhe kapaciteteve profesionale të personelit administrativ dhe planifikimi i tyre adekuat do të jenë në shërbim të avancimit dhe fuqizimit të shërbimeve të administratës së KPK-së, e cila është administratë qendrore për tërë sistemin prokurorial.

Rrjedhimisht, Kryesuesi Maloku, pohoi para udhëheqësve të njësive organizative të SKPK-së, se, vërtet, pret që puna ekipore dhe përkushtimi i tyre të jenë përherë të pranishme për avancimin dhe fuqizimin e domosdoshëm të kapaciteteve administrative. “Profesionalizimi, përkushtimi, disiplina dhe puna ekipore e administratës së KPK-së do të kenë mbështetjen time të pakursyer, vetëm e vetëm, që, së bashku, të kemi efektivitet dhe efikasitet për t’i realizuar synimet që kemi përpara”, tha Kryesuesi Maloku.

Në anën tjetër, Drejtori Krasniqi, në emër të stafit të Sekretariatit, ka uruar Kryesuesin Maloku për zgjedhjen e tij në krye të KPK-së, duke shprehur gatishmërinë se do të jetë i përkushtuar maksimalisht që të gjitha shërbimet e administratës të jenë në mbështetje të plotë të KPK-së dhe PSH-së.