Lajm - Kpk | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Prokurorja Drita Hajdari u zgjodh kryetare e Shoqatës së Prokurorëve të Kosovës

Prishtinë, 17 dhjetor 2010/ Shoqata e Prokurorëve të Kosovës mbajti kuvendin e tretë zgjedhor, në të cilin ishin të pranishëm 65 prokurorë, të të gjitha niveleve. 

Fillimisht kryeprokurori i Shtetit z. Ismet Kabashi, përshëndeti punimet e kuvendit zgjedhor, duke u premtuar përkrahje të plotë Shoqatës së Prokurorëve të Kosovës.

Në këtë kuvend u zgjodh kryesia e re në përbërje të: kryetares Drita Hajdari, nënkryetarit Haki Gecaj dhe anëtarëve Merita Bina, Sylë Hoxha, Rabije Jakupi, Agim Kurmehaj dhe Ismet Ujkani. 

Kryetarja e porsazgjedhur e Shoqatës së Prokurorëve të Kosovës, znj. Drita Hajdari theksoi se kjo shoqatë është subjekt i rëndësishëm në ngritjen dhe përmirësimin e sistemit prokurorial në Republikën e Kosovës.

“Para nesh janë sfidat në ndërtimin e një shoqate efikase dhe funksionale, e cila pikë së pari do të merret me të drejtat e prokurorëve, me mbrojtjen e interesave të tyre, përmirësimin e kushteve të punës si dhe rritjen e efektshmërisë dhe efikasitetit të punës, veçanërisht në luftimin e korrupsionit brenda gjyqësorit, si dhe në tërësi”, pohoi kryetarja Hajdari duke shtuar se: “funksionimi i suksesshëm i shoqatës  do të ndikojë në ngritjen e imazhit të prokurorit, si dhe sistemit prokurorial në tërësi, si faktor i rëndësishëm dhe i pakapërcyeshëm në zbatimin e sundimit të ligjit”.

Kryetarja e re e Shoqatës së Prokurorëve të Kosovës, znj. Drita Hajdari tha se objektivë e rëndësishme për të është bashkëpunimi i shoqatës sonë me shoqatat nga rajoni dhe me ato ndërkombëtare, ndërsa si objektivë të veçantë përmendi rritjen e transparencës së punës së shoqatës.

Në këtë Kuvend, kryeprokurori i Shtetit, z. Ismet Kabashi bëri prezantimin e raportit të punës së Shoqatës së Prokurorëve të Kosovës, i cili u aprovua nga të pranishmit. Ndërkaq, z. Ruhan Salihu prezantoi raportin financiar, i cili gjithashtu u aprovua nga  të pranishmit.

Punimet e këtij Kuvendi i përshëndetën edhe kryeprokurori i EULEX-it, z. Johanes Van Vreeswijk, përfaqësues nga Ambasada Amerikane në Prishtinë, nga ABA-ROL-i, nga NCSC-ja, nga Ministria e Drejtësisë, nga Instituti Gjyqësor i Kosovë dhe nga Oda e Avokatëve të Kosovës.