Lajm - Kpk | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Njoftim lidhur me hetimin e veprave penale, që kanë të bëjnë me zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të mbajtura në Republikën e Kosovës

Prishtinë, 1 shkurt 2011 / Më datën 30 dhjetor 2010, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, i ka dërguar Prokurorisë së Shtetit 133 raste, përmes së cilave subjektet politike, kandidatët, shoqëria civile dhe vëzhguesit e zgjedhjeve kanë paraqitur ankesa lidhur me parregullsitë që kanë shënuar procesin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, të mbajtura më 12 dhjetorit 2010, në Republikën e Kosovës.

Më 31 dhjetor 2010, nga Prokuroria e Shtetit, të gjitha këto lëndë u janë dërguar prokurorive kompetente, me qëllim që aty ku ekzistojnë elementet e veprës penale të ndërmerren veprimet konform dispozitave ligjore.

Këto raporte u janë dërguar këtyre prokurorive:
 

  • Prokurorisë Komunale në Prishtinë, 48 raste,
  • Prokurorisë Komunale në Prizren, 26 raste,
  • Prokurorisë Komunale në Pejë, 14 raste,
  • Prokurorisë Komunale në Mitrovicë, 19 raste,
  • Prokurorisë Komunale në Gjilan, 7 raste,
  • Prokurorisë Komunale në Gjakovë, 2 raste dhe 
  • Prokurorisë Komunale në Ferizaj 14 raste.


Gjithashtu, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, i ka dërguar Prokurorisë së Shtetit 58 raste, përmes së cilave subjektet politike, kandidatët, shoqëria civile dhe vëzhguesit e zgjedhjeve të datës 9 janar 2011, kanë paraqitur ankesa lidhur me parregullsitë që kanë shënuar këtë proces.

Këto raporte më datën 20 janar 2011 u janë dërguar këtyre prokurorive: 
 

  • Prokurorisë Komunale në Prishtinë, 10 raste,
  • Prokurorisë Komunale në Prizren, 1 rast,
  • Prokurorisë Komunale në Mitrovicë, 29 raste dhe
  • Prokurorisë Komunale në Pejë 14 raste.


Ndërkaq, 4 raste janë të paidentifikuara se cilit regjion i përkasin, mirëpo Prokuroria e Shtetit pas informatave për identifikimin e tyre se cilit regjion i takojnë, këto raste do t’ua dërgoj prokurorive kompetente.
 
- Prokuroria Komunale në Prishtinë, sa u përket lëndëve lidhur me zgjedhjet e datës 12.12.2010 nuk ka përfunduar asnjë rast me akuzime. 15 raste i ka mbyllur për mungesë provash apo se vepra nuk është vepër penale; në dy raste ka
kërkuar nga policia informata për të dhënat personale të të dyshuarve, ngase ato mungojnë në raporte; në një rast ka kërkuar informata plotësuese nga policia; në 30 raste kanë autorizuar policinë të ndërmerr veprime hetimore; në pesë raste prokurorët janë duke i ndërmarr vetëveprimet hetimore; dhe një rast është dërguar në kompetencë të Prokurorisë Komunale në Pejë.

Edhe lëndët lidhur me ankesat për zgjedhjet e datës 09.01.2011 janë marrë në punë me prioritet.

- Prokuroria Komunale në Gjilan, sa i përket lëndëve të zgjedhjeve të datës 12.12.2010, ka hudhë 4 raporte në mungesë provash apo se vepra nuk konsiderohej vepër penale; në 2 raste ka paraqitur akuzë pranë gjykatës; ndërsa për dy raste janë në pritje të informatave të kërkuara.
- Prokuroria Komunale në Pejë, në dy raste ka pushuar procedurën se nuk ka prova apo vepra nuk është vepër penale, ndërsa në të gjitha rastet tjera ka autorizuar policinë të ndërmerr veprime hetimore.
- Prokuroria Komunale në Gjakovë, lidhur me zgjedhjet e 12.12.2010, ka pasur në punë dy raste dhe ka akuzuar dy persona.
- Prokuroria Komunale në Mitrovicë në të gjitha lëndët ka filluar procedurën dhe ka autorizuar policinë të ndërmerr veprime hetimore, ndërsa nga KQZ-ja apo paraqitësit e ankesave në PZAP, ka kërkuar informata për të dhënat personale të personave të dyshuar.
- Prokuroria Komunale në Ferizaj ka filluar procedurën në të gjitha lëndët dhe ka autorizuar policinë të ndërmerr veprime hetimore.
- Prokuroria Komunale në Prizren në tetë raste nuk ka ndërmarr asnjë veprim, në 4 raste prokurorët kanë ndërmarr vetëveprime hetimore, në 6 raste janë kërkuar informata shtesë nga subjektet politike apo individët paraqitës të ankesave, në 6 raste për veprime hetimore është autorizuar policia dhe në një rast janë kërkuar informata nga Komisioni Komunal Zgjedhor.

Prokuroritë kanë aktivizuar të gjitha lëndët përveç tetë rasteve në Prokurorinë Komunale në Prizren.

Në shumicën e raporteve që Prokuroria ka siguruar nga PZAP-i kanë munguar të dhënat elementare, të dhënat për të dyshuarin dhe kjo ka ndikuar në punën e prokurorëve.

Gjithashtu, fillimisht ka pasur edhe mosmarrëveshje në mes Policisë së Kosovës, e cila ka vepruar sipas kërkesave të prokurorëve, dhe zyrtarëve të KQZ-së pasiqë policia ka pasur kërkesa nga prokurorët që të merret nga KQZ-ja materiali zgjedhor. Me udhëzimin e dhënë nga Prokuroria e Shtetit, pas bisedës në mes kryeprokurorit të Shtetit, z. Ismet Kabashi dhe kryetares së KQZ-së, znj. Valdete Daka, kjo situatë është tejkaluar dhe policët në bazë të kërkesës së prokurorëve mund të kenë qasje të shqyrtojnë materialin zgjedhor të çdo vendvotimi në prezencë të personit të autorizuar të KQZ-së.

Prokuroritë do të vazhdojnë t’i punojnë me prioritet këto lëndë.