Lajm - Kpk | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Në Pejë dhe në Gjakovë Prokuroria e Shtetit mbajti debate me qytetarë

Pejë, Gjakovë- 20 qershor 2011 - Me qëllim që prokuroritë të jenë sa më pranë qytetarit dhe në kuadër të angazhimit për rritje të transparencës së punës së prokurorive të Republikës së Kosovës, për të parën herë në vendin tonë po shënohet fushata “Prokuroritë më afër qytetarëve”.

Në kuadër të kësaj fushate sot, në Pejë dhe në Gjakovë u mbajtën debate me qytetarë.

Pjesëmarrës në këto debate ishin përfaqësues nga shoqëria civile, nga mediat, nga partitë politike dhe qytetarë të këtyre komunave, të cilët patën mundësinë të komunikojnë me kryeprokurorin e Shtetit, z. Ismet Kabashi, me kryeprokurorin e Prokurorisë së Qarkut në Pejë, z. Agron Galani, me kryeprokuroren e Prokurorisë Komunale në Pejë, znj. Lirije Morina, si dhe me kryeprokuroren e Prokurorisë Komunale në Gjakovë, znj. Shpresa Bakia.

Me këtë rast kryeprokurori i Shtetit, z. Ismet Kabashi theksoi se prokurorët janë të interesuar që të jenë plotësisht transparente karshi qytetarëve, shoqërisë civile dhe mediave.

Kryeprokurori Kabashi pohoi se viti 2010 ka qenë një vit i suksesshëm për sistemin e drejtësisë në Kosovë, duke theksuar përfundimin e procesit të emërimit dhe ri-emërimit të prokurorëve dhe aprovimin e Ligjit për Prokurorin e Shtetit dhe Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës, të cilat janë ligjet bazike për funksionimin e sistemit të drejtësisë.

Kryeprokurori Kabashi, gjithashtu, theksoi se lëndëve që kanë të bëjnë krimin e organizuar dhe me korrupsionin, prokurorët i kushtojë vëmendje të veçantë ku janë krijuar task-forca për luftën kundër korrupsioni kundër krimit të organizuar.

Debati ka vazhduar me kryeprokurorin e Prokurorisë së Qarkut në Pejë, z. Agron Galani, i cili njoftoi se vetëm në vitin 2010, janë bërë 600 kallëzime penale, ku prej tyre janë ngritur 529 aktakuza, 10 prej tyre kanë të bëjnë me korrupsionin dhe krimet ekonomike, si dhe janë arrestuar zyrtarë komunal, të cilët më herët kanë qenë të “paprekshëm” nga drejtësia. Kryeprokurori Galani iu bëri thirrje OJQ-ve, mediave dhe qytetarëve që të mos hezitojnë të kërkojnë të dhëna dhe dokumente në këtë prokurori.

Edhe kryeprokuroret e Prokurorive Komunale në Pejë dhe në Gjakovë i njoftuan qytetarët me të arriturat, sfidat dhe me problemet me të cilat ballafaqohen ato prokurori.

Ndërkaq, z. Petrit Zogaj, përfaqësues nga ”Lëvizja FOL” tha se kjo lëvizje në bashkëpunim me kryeprokurorin e Shtetit kanë nisur fushatën “Prokuroritë më afër qytetarit”, përmes së cilës të dyja palët synojnë të rrisin informacionin për rolin dhe punën e prokurorive, të nxisin qytetarët të bashkëpunojnë me prokuroritë, si dhe të diskutojnë për punën e prokurorive nëpër regjione.

Kjo fushatë organizohet nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit në bashkëpunim me Lëvizjen FOL dhe në kuadër të saj do të mbahet debate me qytetarë në 7 komunat më të mëdha të vendit tonë.