Lajm - Kpk | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Prokuroria e Shtetit vazhdoi debatet me qytetarët e Gjilanit dhe të Ferizajt

Gjilan, Ferizaj- 22 qershor 2011- Me qëllim që prokuroritë të jenë sa më pranë qytetarit dhe në kuadër të fushatës “Prokuroritë më afër qytetarëve”, sot Prokuroria e Shtetit mbajti debate me qytetarë në Gjilan dhe në Ferizaj.

Pjesëmarrës në këto debate ishin përfaqësues nga shoqëria civile, nga mediat, nga partitë politike dhe qytetarë të këtyre komunave, të cilët patën mundësinë të komunikojnë me kryeprokurorin e Shtetit, z. Ismet Kabashi, me kryeprokurorin e Prokurorisë së Qarkut në Gjilan, z. Jetish Maloku, me kryeprokuroren e Prokurorisë Komunale në Gjilan, znj. Rabije Jakupi, me kryeprokurorin e Prokurorisë së Qarkut në Prishtinë, z. Aleksandër Lumezi, si dhe me kryeprokurorin e Prokurorisë Komunale në Ferizaj, z. Shukri Jashari.

Me këtë rast kryeprokurori i Shtetit, z. Ismet Kabashi theksoi se prokurorët janë të interesuar që të jenë plotësisht transparent karshi qytetarëve, shoqërisë civile dhe mediave, duke iu bëri thirrje qytetarëve që të bashkëpunojnë sa më ngushtë me prokurorët.

Kryeprokurori Kabashi njoftoi se viti 2010 ka qenë një vit i suksesshëm për prokurorët, ku edhe pse prokurorët janë përballur me një vëllim të madh të punës, kualiteti i kësaj pune matet me vendimet për konfirmimin e aktakuzave, e 95% të aktakuzave të ngritura nga prokurorët, janë konfirmuar nga gjyqtarët.

Gjithashtu, kryeprokurori Kabashi informoi se janë krijuar parakushtet normale që prokuroria të jetë institucion i pavarur, ku baza materiale e prokurorëve është përmirësuar dukshëm dhe me aprovimin e Ligjit për Prokurorin e Shtetit dhe atij për Këshillin Prokurorial dhe me funksionalizimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës është siguruar edhe pavarësia e prokurorëve.

Kryeprokurori Kabashi, gjithashtu, theksoi se lëndëve që kanë të bëjnë me krimin e organizuar dhe me korrupsionin, prokurorët i kushtojë vëmendje të veçantë ku janë krijuar task-forca për luftën kundër korrupsionit dhe ajo kundër krimit të organizuar.

Debati në Gjilan ka vazhduar me kryeprokurorin e Prokurorisë së Qarkut në Gjilan, z. Jetish Maloku, i cili bëri një prezantim të shkurtër të punës së kësaj prokurorie për vitin 2010 dhe pjesën e parë të vitit 2011. Ai tha se gjatë vitit 2010 kanë qenë në punë rreth 335 lëndë, prej tyre janë ngritur 312 aktakuza, që kanë përfshirë 422 persona të moshës madhore, ku ky numër i lëndëve është shumë më i madh se sa në vitin 2009.

Kryeprokurori Maloku potencoi se me qëllim ngritjen e transparencës së prokurorisë janë, ndërmarrë shumë hapa që ky institucion të jetë i hapur për publikun, si njëri nga elementet kryesore të kthimit të besimit të qytetarëve në këtë institucion.
Edhe kryeprokurorja e Prokurorisë Komunale në Gjilan, znj. Rabije Jakupi, pasi bëri një prezantim të shkurtër të raportit të punës së kësaj prokurorie për vitin 2010, tha se Prokuroria Komunale e Gjilanit është njëra nga prokuroritë më të suksesshme në Kosovë, për sa i përket procedimit të lëndëve në gjykata dhe zgjidhjes së tyre.

Në debatin e zhvilluar në Ferizaj, i pranishëm ishte edhe Kryeprokurori i Prokurorisë së Qarkut të Prishtinës, z. Aleksandër Lumezi, i cili i njoftoi qytetarët me të arriturat, sfidat dhe me problemet me të cilat ballafaqohet Prokuroria e Qarkut në Prishtinë. Kryeprokurori Lumezi veçoi faktin se kjo prokurori është më e ngarkuara sa i përket lëndëve që kanë të bëjnë me korrupsion dhe krimin e organizuar dhe në këtë kontekst ka ngritur 12 aktakuza që kanë të bëjnë me korrupsionin. 

Ndërsa, kryeprokurori i Prokurorisë Komunale në Ferizaj, z. Shukri Jashari, tha se në këtë prokurori janë të angazhuar 4 prokurorë dhe se nga janari deri në qershor te vitit 2011 janë 1343 lëndë me persona të moshës madhore dhe 122 lëndë me persona të mitur. Kryeprokurori Jashari shtoi se kjo prokurori zbaton planin që çdo ditë të pranojë qytetarë në zyrat e kësaj prokurorie, me qëllim të ngritjes së nivelit të transparencës së institucionit të prokurorisë.

Ndërkaq, z. Petrit Zogaj, përfaqësues nga ”Lëvizja FOL” tha se kjo lëvizje në bashkëpunim me kryeprokurorin e Shtetit kanë nisur fushatën “Prokuroritë më afër qytetarit”, përmes së cilës të dyja palët synojnë të rrisin informacionin për rolin dhe punën e prokurorive, të nxisin qytetarët të bashkëpunojnë me prokuroritë, si dhe të diskutojnë për punën e prokurorive nëpër regjione.

Kjo fushatë organizohet për të parën herë në vendin tonë, nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit në bashkëpunim me Lëvizjen FOL.