Lajm - Kpk | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Prokuroria e Shtetit vazhdoi debatin me qytetarët e Prizrenit

Prizren- 24 qershor 2011- Me qëllim që prokuroritë të jenë sa më pranë qytetarit dhe në kuadër të fushatës “Prokuroritë më afër qytetarëve”, sot në Prizren Prokuroria e Shtetit mbajti debat me qytetarë.

Pjesëmarrës në këtë debat ishin përfaqësues nga shoqëria civile, nga mediat, nga partitë politike dhe qytetarë të këtyre komunave, të cilët patën mundësinë të komunikojnë me kryeprokurorin e Shtetit, z. Ismet Kabashi, me prokuroren e Prokurorisë së Qarkut në Prizren, znj. Ervehe Gashi, me kryeprokurorin e Prokurorisë Komunale në Ferizaj, z. Shukri Jashari.

Me këtë rast kryeprokurori i Shtetit, z. Ismet Kabashi, theksoi se prokurorët janë të interesuar që të jenë plotësisht transparent karshi qytetarëve, shoqërisë civile dhe mediave, duke iu bërë thirrje qytetarëve që të bashkëpunojnë sa më ngushtë me prokurorët.

Kryeprokurori Kabashi njoftoi se viti 2010 ka qenë një vit i suksesshëm për prokurorët, ku edhe pse prokurorët janë përballur me një vëllim të madh të punës, kualiteti i kësaj pune matet me vendimet për konfirmimin e aktakuzave, e 95% të aktakuzave të ngritura nga prokurorët, janë konfirmuar nga gjyqtarët.

Gjithashtu, kryeprokurori Kabashi informoi se janë krijuar parakushtet normale që prokuroria të jetë institucion i pavarur, ku baza materiale e prokurorëve është përmirësuar dukshëm dhe me aprovimin e Ligjit për Prokurorin e Shtetit dhe atij për Këshillin Prokurorial dhe me funksionalizimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës është siguruar edhe pavarësia e prokurorëve.

Kryeprokurori Kabashi, gjithashtu, theksoi se lëndëve që kanë të bëjnë me krimin e organizuar dhe me korrupsionin, prokurorët i kushtojë vëmendje të veçantë ku janë krijuar task-forca për luftën kundër korrupsionit dhe ajo kundër krimit të organizuar.

Debati vazhdoi me prokuroren e Prokurorisë së Qarkut në Prizren, znj. Ervehe Gashi, e cila fillimisht bëri një prezantim të shkurtër të punës së kësaj prokurorie për vitin 2010 dhe pjesën e parë të vitit 2011.

Prokurorja Gashi theksoi se Prokuroria e Qarkut në Prizren ka 6 prokurorë dhe si përparësi ajo konsideroi ndërtimin e objektit të ri të kësaj prokurorie, që ka ndikuar në avancimin e punës së Prokurorisë së Qarkut në Prizren. Prokurorja Gashi, gjithashtu theksoi se lëndët që kanë të bëjnë më korrupsion kanë qenë prioritet i kësaj prokurorie ku gjatë këtij viti kjo prokurori ka proceduar 13 lëndë të kësaj natyre, 10 nga to kanë përfunduar me paraburgim, 1 është hedhur poshtë dhe në 2 janë pushuar hetimet.

Edhe kryeprokurori i Prokurorisë Komunale në Prizren, z. Enver Sokoli, bëri një prezantim të punës së prokurorisë që ai e drejton. Kryeprokurori Sokoli tha se gjatë vitit 2010 Prokuroria Komunale në Prizren ka pasur rreth 3223 lëndë, duke shtuar se prioritet i kësaj prokurorie është lufta kundër korrupsionit, ku vetëm në vitin 2011, janë 34 lëndë në punë që kanë të bëjnë me korrupsion, lëndët për shkelësit e procesit të zgjedhjeve të fundit në vendin tonë dhe lëndët për të miturit.  
Ndërkaq, z. Petrit Zogaj, përfaqësues nga ”Lëvizja FOL” tha se kjo lëvizje në bashkëpunim me kryeprokurorin e Shtetit kanë nisur fushatën “Prokuroritë më afër qytetarit”, përmes së cilës të dyja palët synojnë të rrisin informacionin për rolin dhe punën e prokurorive, të nxisin qytetarët të bashkëpunojnë me prokuroritë, si dhe të diskutojnë për punën e prokurorive nëpër regjione.

Kjo fushatë organizohet për të parën herë në vendin tonë, nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit në bashkëpunim me Lëvizjen FOL.