Lajm - Kpk | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Me moton thyeje heshtjen, ndal abuzimin ndaj fëmijëve, ndal dhunën në familje u shënua “Java për të drejtat e viktimave të krimit” në Pejë

Pejë, 20 tetor 2011 –  Në kuadër të aktiviteteve të shumta që po mbahen për të shënuar ”Javën për të drejtat e viktimave të krimit”, sot në Pejë u mbajt një ceremoni, për të nderuar viktimat me qëllim të ngritjes së vetëdijes për të drejtat e tyre.

Edhe me këtë rast kryeprokurori i shtetit z. Ismet Kabashi, kërkoi angazhim gjithëpërfshirës të autoriteteve dhe mekanizmave, si dhe kërkoi përkrahjen e qytetarëve që t’iu dalin në mbrojtje viktimave, të çfarëdo natyre qofshin ato.

Kryeprokurori i Shtetit z. Ismet Kabashi theksoi se: “Gjatë punës shumëvjeçare si prokuror ka qenë dëshmitar i dhimbjes, tronditjes dhe pasojave të viktimave, të cilat shpeshherë kanë qenë shkatërrimtare. Tani si Kryeprokuror i Shtetit siguroj se të gjithë prokurorët do të ushtrojnë autoritetin e tyre për të respektuar të drejtat e viktimave, për t’i trajtuar ato me dinjitet dhe për tu kujdesur për realizimin e të drejtave të tyre, duke përfshirë edhe të drejtën e kompensimit nga dobia pasurore e fituar me anë të krimit”.

Kryeprokurori i Shtetit z. Ismet Kabashi kërkoi që viktimat në procedurat penale të trajtohen me drejtësi dhe dinjitet.

Në emër të Ministrisë së Drejtësisë, ceremoninë e përshëndeti këshilltari politik në këtë ministri z. Driton Lajçi, i cili theksoi se rendi dhe ligji është prioritet i gjitha institucioneve të Republikës së Kosovës.

Nga ana tjetër edhe kryetari i Komunës së Pejës, z. Ali Berisha, ka siguruar të pranishmit se institucioni që ai drejton, mbështet çdo iniciativë që merret me sigurinë e viktimave, duke shtuar se të drejtat e viktimave mbrohen, duke i luftuar autorët e krimeve.

Edhe drejtori i Policisë Rajonale në Pejë, kolonel Ahmet Hasi, vlerësoi lart bashkëpunimin me qytetarët për të mbrojtur viktimat kudo që janë ato, duke shtuar se Policia e Kosovës ka një qasje serioze për të mbrojtur të gjitha viktimat dhe për të kapur autorët  e krimeve.

Për nderë të viktimave të krimit mysafire nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës ishin edhe znj. Michelle Scott, Koordinatore e viktimave, për Qarkun Lindor të Karolinës së Veriut dhe znj. Joye Frost, ushtruese detyre e drejtoreshës së Zyrës për viktimat e krimit, në Washington.

Me këtë rast znj. Scott tha se “Java për të drejtat e viktimave të krimit”, ka për qëllimin nderimin e viktimave të krimit dhe përpjekjet për të siguruar që viktimat e krimit të kenë të drejtat e tyre brenda sistemit të drejtësisë dhe sigurisht se populli dhe institucionet e Kosovës janë të përkushtuara të ndërtojnë të ardhmen e viktimave dhe ne, si përfaqësuese të SHBA-ve, jemi shumë të kënaqur që jemi partner në këto përpjekje. 

Gjatë kësaj ceremonie ishin të pranishme dhe i rrëfyen historitë e tyre edhe një viktimë vendëse, e dhunës në familje, dhe një viktimë e krimit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat kanë arritur t’i tejkaloj padrejtësitë dhe shkeljet që u janë bërë dhe sot jetojnë jetën me shpresë për një të ardhme të suksesshme të tyre.

“Java për të drejtat e viktimave të krimit”, po mbahet nën patronazhin e Kryeprokurorit të Shtetit.