Lajm - Kpk | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Deklaratë e kryeprokurorit të Shtetit njëherësh kryetar i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Ismet Kabashi, lidhur me rastin e arrestimit të prokurorit Nazmi Mustafi

Prishtinë 3 prill 2012

Me anë të kësaj deklarate shpreh indinjatën e thellë, për faktin se një prokuror i sistemit prokurorial dhe njëherësh udhëheqës i tas forcës antikorupcion, në kuadër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, ka rënë në kundërshtim me ligjin dhe dyshohet të ketë kryer vepra penale, për luftimin e së cilave vepra kishte pozitë kyçe në sistemin prokurorial.

Padyshim, kjo është një goditje për sistemin prokurorial të Republikës së Kosovës, por gjithashtu, jam i bindur se për këtë sistem do të ishte goditje edhe më e rëndë sikur të mos e merrnim me seriozitet dhe përkushtim të plotë hetimin e këtij rasti që nga momenti kur kemi pranuar informatën e parë.

E njoftoj opinionin publik, se me kërkesën time, hetimin e rastit e ka filluar një prokuror vendës i Prokurorisë së Qarkut në Pejë, në bazë të informacioneve të marra nga Policia e Republikës së Kosovës.

Pasi hetimet kanë rezultuar me të dhënat, se në këtë rast i dyshuari është prokuror, jemi pajtuar me kryeprokuroren e EULEX-it që këto hetime t’i  vazhdojnë prokurorët e EULEX-it në Prokurorinë e Qarkut në Pejë. Me këtë rast, tek EULEX-i, ne kemi bërë dorëzimin e të gjitha rezultateve hetimore të gjeratëhershme që i kemi poseduar.

Vazhdimi i hetimeve u finalizua me sigurimin e provave shtesë që vërtetuan dyshimin e bazuar  dhe arrestimin e prokurorit në fjalë.

Prokurori i Shtetit me hetimin e këtij rasti tregon vendosmërinë dhe përkushtimin e tij të pakompromis për të luftuar korrupsionin në të gjitha nivelet, duke përfshirë edhe atë në radhët e prokurorëve dhe të punësuarve në sistemin prokurorial.

Kam informata se ekzistojnë edhe raste të tjera të natyrës së njëjtë, me të njëjtin prokuror, andaj i ftoj publikisht të gjithë ata që kanë prova apo informata lidhur me këtë rast, që të na ndihmojnë duke i paraqitur informatat që i kanë tek kryeprokurori i Shtetit, prokurori i rastit në Prokurorinë Publike të Qarkut në Pejë apo në Policinë e Kosovës.

Edhe një herë ftoj qytetarët, opinionin e gjerë publik dhe shoqërinë civile, që të bashkëpunojnë sa më shumë me Prokurorin e Shtetit dhe ta ndihmojnë atë në luftimin e keqpërdoruesve të detyrës zyrtare dhe të gjithë atyre që vijnë në kundërshtim me ligjin. Kjo ftesë njëherësh është edhe apel i kryeprokurorit të Shtetit. Prokurori i Shtetit do të mirëpres dhe vlerësoj çdo kontribut Tuajin në këtë drejtim.

Nëpërmjet kësaj deklarate shfrytëzoj rastin ta përgëzoj policinë, për punën e tyre profesionale dhe efikase gjatë hetimit të këtij rasti, si dhe kryeprokuroren e EULEX-it dhe prokurorin e lëndës për punën e shkëlqyer.

Gjithashtu, falënderoj edhe gazetaren Selvije Bajrami, nga gazeta e përditshme “Zëri”, për bashkëpunimin e saj, e cila duke mos i publikuar informatat që i kishte për këtë rast, të siguruara nga burimet e saja, ka kontribuar që të mos pengohen hetimet dhe arrestimi i prokurorit në fjalë.
Përfundimi me sukses i një hetimi, sigurisht se është më i rëndësishëm sesa një lajm i publikuar para kohës, e i cili do t’i pengonte hetimet dhe përfundimin e suksesshëm të rastit.

Gjithashtu, Ju njoftoj, se duke u bazuar në legjislacionin në fuqi, kam kërkuar nga Zyra e Inspektoratit Gjyqësor dhe Prokurorial dhe nga Komisioni Disiplinor i Këshillit Prokurorial të Kosovës që menjëherë të fillojnë procedurën disiplinore kundër prokurorit Nazmi Mustafi, si dhe ta trajtojnë këtë rast me prioritet absolut, sepse veprimet e prokurorit paraqesin në të njëjtën kohë edhe shkelje të Kodit të Etikës për Prokurorë, që mund ta vëjë në pikëpyetje integritetin e sistemit prokurorial të vendit tonë.

Në fund i siguroj qytetarët e Republikës së Kosovës, se Prokurori i Shtetit nuk do të ketë kompromis ndaj askujt që kryen vepra penale, e sidomos ndaj atyre, të cilët keqpërdorin dhe shpërdorojnë autoritetin dhe pozitën që ushtrojnë.

Ismet Kabashi
Kryeprokuror i Shtetit dhe njëherësh kryetar i Këshillit Proklurorial të Republikës së Kosovës