Lajm - Kpk | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës mbajtën takim të përbashkët

Prishtinë 28 shtator 2012 / Sot u mbajt takimi i përbashkët i anëtarëve të Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe anëtarëve të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, i kryesuar nga kryetari i Këshillit Prokurorial, kryeprokurori i Shtetit, z. Ismet Kabashi.

Në këtë takim u shqyrtua propozimi i komisionit për shqyrtimin e ankesës së z. Kadri Begolli, lidhur me zgjedhjen e drejtorit të Zyrës së Prokurorit Disiplinor, i themeluar më 31 korrik 2012.

Pas shqyrtimit të këtij propozimi anëtarët e dy Këshillave vendosën, që ankesa e z. Begolli të refuzohet si e pabazuar, ashtu siç edhe ka propozuar komisioni shqyrtues i ankesës së z. Begolli dhe të gjitha provave lidhur me këtë çështje.

Po ashtu në këtë takim, me qëllim të krijimit të kushteve sa më të mira të punës për prokurorë dhe gjyqtarë, Këshilli Prokurorial i Kosovës i propozoi Këshillit Gjyqësor të Kosovës që ndërtesën ku është e vendosur Prokuroria Komunale në Gjakovë, e cila do të shndërrohet në Prokurori Themelore në Gjakovë, t’ia lëshoj për shfrytëzim, me kompensim, Gjykatës Themelore në Gjakovë.

Ky propozim erdhi pasi që në ndërtesën e Prokurorisë Komunale në Gjakovë nuk ka hapësirë të mjaftueshme për prokurorë, pasi që me krijimin e Prokurorisë Themelore do të rritet numri i prokurorëve dhe stafit mbështetës në atë prokurori. Po ashtu as ndërtesa e Gjykatës Komunale në Gjakovë nuk ka hapësirë të mjaftueshme për stafin e Gjykatës Themelore në Gjakovë.

Anëtarët e Këshillit Gjyqësor të Kosovës aprovuan propozimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe u vendos që lidhur me këtë çështje të nënshkruhet një memorandum mirëkuptimi në mes Këshillit Prokurorial dhe Këshillit Gjyqësor të Kosovës.