Lajm - Kpk | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Mbahet takimi i Komisionit për Administrimin e Prokurorive

Prishtinë, 27 mars 2024

Komisioni për Administrimin e Prokurorive të KPK-së, i udhëhequr z.Jetish Maloku, ka mbajtur takimin e radhës, sipas agjendës së paraparë, në të cilin morën pjesë anëtarët e këtij komisioni, Koordinatori i Komisioneve të Përhershme të KPK-së, zyrtarët e Departamentit të Teknologjisë Informative të Sekretariatit të KPK-së dhe të Njësitit për Shqyrtimin e Performancës së Prokurorisë.

Fillimisht është bërë prezantimi i Raportit për vlerësimin dhe verifikimin e kushteve të punës në objektet e sistemit prokurorial, raport ky, i cili është aprovuar nga anëtarët e Komisionit, në të cilin janë evidentuar sfidat dhe problemet që janë aktualisht në shumicën e objekteve prokuroriale, me ç’rast u tha se në këtë fazë do të kenë prioritet objektet e Këshillit Prokurorial, Prokurorisë së Apelit dhe Prokurorisë Themelore të Prishtinës.     

Po ashtu janë trajtuar edhe kërkesat për avancimin e SMIL-it, të cilat parashohin zhvillimin e raporteve statistikore, avancimin e shkëmbimit elektronik në mes të prokurorive dhe gjykatave themelore, si dhe realizimin e ndërlidhjes së Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit dhe Gjykatës Supreme.  

Kryesuesi i Komisionit për Administrimin e Prokurorive, z.Jetish Maloku, njoftoi anëtarët se, në bashkëpunim me projektin e CEPEJ-it është duke u diskutuar organizimi i një punëtorie, në të cilën do të prezantohen të dhënat e raporteve statistikore sipas rekomandimeve të ekspertëve të CEPEJ-it dhe plani kohor për zëvendësimin e raporteve manuale me ato elektronike që gjenerohen nga SMIL-i.