Lajm - Kpk | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Miratohet Plani i punës së Komisionit për Çështje Normative për vitin 2024

Prishtinë, 25 mars 2024 

Komisioni për Çështje Normative, i kryesuar nga z.Armend Zenelaj, mbajti takimin e radhës sipas agjendës së paraparë, në të cilin morën pjesë anëtarët e tij, z.Bahri Hyseni dhe z.Ilir Morina, Drejtori i Përgjithshëm i Sekretariatit të KPK-së, z.Sami Istrefi, zyrtaret nga OPDAT-i në Ambasadën Amerikane në Prishtinë, znj.Benina Kusari dhe znj.Edita Shporta dhe U.D.Udhëheqësi i ZMNV-së, z.Burhan Maxhuni.

Fillimisht, anëtarët e këtij komisioni miratuan Planin e Punës së Komisionit për Çështje Normative për vitin 2024, i cili bazohet në Planin Strategjik të Sistemit Prokurorial dhe përmban aktivitetet që do të realizohen në periudhën e ardhshme njëvjeçare.

Gjithashtu, pas trajtimit final, miratuan edhe draftin e Rregullores për Mandatin, Strukturën dhe Funksionimin e Zyrës për Mbrojtje dhe Ndihmë të Viktimave (ZMNV), me ç’rast, kryesuesi i Komisionit, z.Zenelaj, falënderoi edhe partnerët ndërkombëtarë për mbështetjen që kanë dhënë lidhur me draftimin e kësaj rregulloreje, e cila do të dalë në dëgjim publik edhe më pas do t’i propozohet për miratim Këshillit Prokurorial.

Komisioni diskutoi edhe autorizimin e kryesuesit të KPK-së për rishikimin dhe ndryshimin e Rregullores për Zgjedhjen e Kryeprokurorit të Shtetit dhe Kryeprokurorëve të Prokurorive të Republikës se Kosovës, si dhe plotësim ndryshimin e saj.