Lajm - Kpk | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Kryesuesi Hajdaraj: Zbatimi i projekteve të tilla me përmasa globale është i nevojshëm për drejtësinë penale në shoqërinë tonë

Prishtinë, 25 mars 2024

Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), z.Ardian Hajdaraj, i shoqëruar nga kryetari i Komisionit për Çështje Normative, z.Armend Zenelaj, priti në takim përfaqësuesit e Projektit “Zgjidhjet e qëndrueshme në drejtësinë penale - SCJS”, z.Essie Adair dhe z.Chris Reid. Këta ekspertë nga Irlanda Veriore në fushën e krimit të organizuar shoqëroheshin nga Zyrtarja për zbatimin e politikave në sektorin e sundimit të ligjit në Ambasadën Britanike, znj.Altina Besimi dhe eksperti vendor, z.Ardian Bajraktari.  

Siç u tha në fillim të takimit, ekspertët britanikë, z.Adair dhe z.Reid, angazhohen për avancimin e efikasitetit, efektivitetit dhe qëndrueshmërisë së sistemeve të drejtësisë penale në nivel global, kurse qëllimi i takimit të sotëm ishte diskutimi i objektivave të projektit, veprimet e parashikuara gjatë vitit 2024 dhe rezultatet e pritshme pas zbatimit të tij.

Kryesuesi i Këshillit Prokurorial, Ardian Hajdaraj, falënderoi ekspertët për angazhimin e tyre konkret dhe i njoftoi për të arriturat dhe sfidat aktuale në sistemin prokurorial, si dhe  për planin e hartimit të akteve nënligjore që rrjedhin nga ligjet e reja dhe mundësinë e përkrahjes me anë të ekspertizës së tyre. “Vlerësoj se zbatimi i projekteve të tilla me përmasa globale është i nevojshëm për drejtësinë penale në shoqërinë tonë”, tha me këtë rast z.Hajdaraj.

Nga ana tjetër, z.Essie Adair, falënderoi Kryesuesin e KPK-së për pritjen dhe konfirmoi përkushtimin e ekipit të projektit që do të zbatohet përmes mbështetjes dhe organizimit të aktiviteteve.  

Z.Hajdaraj dhe ekspertët britanikë janë pajtuar që të intensifikojnë aktivitetet e përbashkëta, në mënyrë që të shkëmbehen përvojat dhe praktikat më të mira globale, të cilat fuqizojnë drejtësinë penale dhe përgjithësisht sundimin e ligjit në Republikën e Kosovës.