Lajm - Kpk | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Kryesuesi Hajdaraj, pjesë e delegacionit që takoi Ndihmës Sekretarin Amerikan për Byronë Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit (INL), z.Todd D. Robinson

Prishtinë, 21 mars 2024

Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, z.Ardian Hajdaraj, së bashku me Zëvendës Kryesuesen znj.Jehona Grantolli dhe Kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, z.Blerim Isufaj, ishte pjesë e delegacionit të përbashkët të sistemit të drejtësisë që priti në takim Ndihmës Sekretarin Amerikan për Byronë Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit (INL), z.Todd D. Robinson.

Në Pallatin e Drejtësisë, ku u zhvillua takimi i sotëm ishin të pranishëm përfaqësuesit nga Ambasada Amerikane në Prishtinë dhe përfaqësues të sistemit gjyqësor.

Me këtë rast, zyrtarët e lartë të institucioneve të drejtësisë diskutuan me Ndihmëssekretarin Robinson për reformat e sundimit të ligjit në Kosovë, me ç’rast u prezantuan edhe kërkesat e përfaqësuesve të sistemit prokurorial dhe atij gjyqësor, përfshirë respektimin e ndarjes së pushteteve dhe moscenimin e pavarësisë dhe profesionalizmit të institucioneve të drejtësisë në Kosovë.

Ndër temat e tjera që u diskutuan, ishin edhe përballja me sfidat e korrupsionit dhe nevoja për reforma ligjore për të luftuar trafikimin me narkotikë, duke zbatuar standardet dhe praktikat  evropiane, si dhe duke ngritur llogaridhënien, efikasitetin dhe transparencën publike.

Në fjalën e tij, Ndihmëssekretari Robinson, nënvizoi rolin dhe rëndësinë e bashkëpunimit mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Republikës së Kosovës, duke kërkuar angazhim të shtuar për forcimin e sundimit të ligjit dhe avancimin e shtetit të së drejtës në Kosovë.