Lajm - Kpk | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Reagim i Këshillit Prokurorial të Kosovës

Prishtinë, 21 mars 2024

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) njofton opinionin publik se grupi punues i sistemit prokurorial ka marrë pjesë në diskutimet e zhvilluara gjatë ditës së djeshme për draftet e dokumenteve që rrjedhin nga Deklarata e Përbashkët e Zotimeve në punëtorinë e Grupit punues për hartimin dhe finalizimin e legjislacionit të paraparë me këtë deklaratë.

Në këtë kontekst, KPK informon opinionin publik se në kundërshtim me Deklaratën e Përbashkët të Zotimit të institucioneve të drejtësisë, përfaqësuesit e Ministrisë së Drejtësisë (MD) nuk i kanë sjellë konkluzionet e punëtorisë së kaluar në punëtorinë treditore, e cila është duke u mbajtur për hartimin dhe finalizimin e legjislacionit që rrjedh nga kjo deklaratë dhe s’i kanë marrë parasysh rekomandimet e përfaqësuesve të sistemit prokurorial, ashtu siç janë marrë vesh në punëtoritë e mbajtura më parë.  

Fillimisht, përfaqësuesit e Ministrisë së Drejtësisë kërkuan të diskutohet një draft i Ligjit për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, në të cilin kishte rekomandime të MD-së, të cilat nuk ishin diskutuar më parë dhe nuk ishin as pjesë e raportit përmbledhës të grupit punues, kurse anëtarët e grupit nga sistemi prokurorial kanë kundërshtuar, sepse nuk kishin autorizim për të diskutuar diçka që nuk kishte kaluar paraprakisht në KPK.

Me këtë rast, përfaqësuesit nga KPK-ja dhe ZKPSH-ja kërkuan shpjegime edhe për mungesën e konkluzioneve, por Zëvendësministri i Ministrisë së Drejtësisë, Vigan Qorrolli, në mënyrë tendencioze kishte fyer ata, duke iu thënë se do të kërkojë nga KPK-ja që të mos dërgojnë gjithkënd në takime të tilla, ku nga KPK-ja janë deleguar katër përfaqësues dhe një nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit. Pas kësaj përfaqësuesit e sistemit prokurorial kanë braktisur punëtorinë.

KPK-ja thekson se kjo është qasje denigruese, e padinjitetshme dhe mosbashkëpunuese nga ana e përfaqësuesve të Ministrisë së Drejtësisë, prandaj bënë thirrje që të ndryshojnë qasjet e tilla, sepse s’i kontribuojnë frymës së bashkëpunimit ndërinstitucional dhe, KPK-ja, nënvizon se është e përkushtuar dhe do të angazhohet në mënyrë intensive për të punuar, mbrojtur dhe avancuar çdo vlerë që fuqizon sundimin e ligjit në vend.