Lajm - Kpk | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Fjalimi i Kyesuesit të KPK-së, z.Ardian Hajdaraj, në Konferencën Vjetore të Prokurorëve

I nderuari U.D. i Kryeprokurorit të Shtetit, z. Besim Kelmendi,

I nderuari Ambasador i SHBA-së, z. M.Hovenier,

I nderuari Shef i Zyrës së BE-së, Tomás Szunyog,

I nderuari Kryetar i Gjykatës Supreme, z.Fejzullah Rexhepi,

I nderuari Kryesues i Këshillit Gjyqësor, z. Albert Zogaj,

Të nderuar kolegë, anëtarë të Këshillit Prokurorial, kryeprokuror, prokurorë dhe të gjithë ju që jeni pjesë e sistemit prokurorial,

Të nderuar kryetarë të gjykatave dhe ju përfaqësues të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare,

Të nderuar përfaqësues të mediave shoqërisë civile,

Miq dhe ju mysafirë të nderuar

Ndihem i nderuar që kam rastin t’ju përshëndes në Konferencën Vjetore të Prokurorëve të Republikës së Kosovës.

Ka shumë pak kohë qëkur jam zgjedhur në krye të Këshillit Prokurorial të Kosovës, edhe pse anëtarë i kësaj përbërjeje të Këshillit i kam mbi tri (3) vjet në përfaqësim të Prokurorisë Themelore në Pejë.

I falënderoj të gjithë kolegët për besimin e treguar ndaj meje.

Sot, kur bashkë me kolegët e tjerë anëtarë po e drejtojmë Këshillin drejt realizimit të mandatit kushtetues e ligjor kam filluar ta ndjej peshën e drejtimit të Këshillit së bashku me të gjitha strukturat e tij.

Nga ajo kohë e deri më tani kemi kaluar nëpër shumë sfida dhe sot ju them juve, se ndihem krenar me punën e kolegëve të mi anëtarë të Këshillit Prokurorial, ndihem krenar me punën tuaj si prokurorë, me shërbimin e stafit të sistemit prokurorial dhe njëkohësisht jam i motivuar nga ndihma e të gjithë juve partnerë të sistemit prokurorial.

Mandati ynë si Këshill, fokusohet në mundësimin dhe sigurimin e kushteve sa më të mira, në mënyrë që ju si prokurorë të hetoni dhe ti ndiqni kryerësit e veprave penale më me efikasitet dhe me efektivitet ta përfaqësoni shtetin kundër çdo veprimi apo dukurie kriminale.

Ju siguroj, se pritjet tuaja në zbatim të përgjegjësive që i keni, janë prioritet absolut i planeve dhe strategjive tona si Këshill Prokurorial dhe imi si kryesues i tij.

Më vjen mirë, që sot këtu mund ta them një gjë me siguri të plotë: ndër vite kemi arritur të sigurojmë numër më të madh të prokurorëve të rinj, është shpallur konkursi dhe së shpejti do të fillojmë rekrutimin 28 prokurorëve, 4 pozita prej të cilave janë të rezervuara për komunitetin serb. Kemi arritur të transferojmë dhe avancojmë numrin e nevojshëm të prokurorëve në nivele të ndryshme të prokurorive, kemi vazhduar me vlerësimin e përformancës dhe disiplinimin e prokurorëve. Gjithashtu Këshilli ka arritur të rekrutojë,  pothuajse të gjitha pozitat e lira të personelit administrativ të parapara me planin vjetor të personelit.

Vlen të përmendet edhe fakti se jemi në proces që të përmbushim  me sukses të gjitha obligimet tona të cilat dalin nga Deklarata e Zotimit për reformën ligjore në sistemin e drejtësisë, e nënshkruar në mes të Ministrisë së Drejtësisë, Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Këshillit Prokurorial të Kosovës, Gjykatës Supreme dhe Kryeprokurorit të Shtetit.  

Meqenëse, kam qenë kryetar i Komisionit për Vlerësimin e Përformancës për 3 vjet, tani si Kryesues e  konsideroj të rëndësishme se për vlerësimin e përformancës dhe efikasitetin tuaj më të lartë, puna kryesore është grumbullimi i përditshëm i burimeve faktike të informacionit dhe dorëzimi i tyre te eprori çdo vit dhe pastaj tek komisioni çdo 3 vite. Nëse bëhet kjo, do të arrihet të pasqyrohet përformanca Juaj objektive dhe njëkohësisht arrihet obligimi i misionit të prokurorit për mbledhjen e provave.  Aktualisht po punojmë për avancimin e sistemit të vlerësimit të përformancës së prokurorëve me qëllim që të kemi prokurorë me integritet, dinjitet, profesional dhe të guximshëm. Me këtë rast kërkoj nga kryeprokurorët e prokurorive që të angazhohen në vlerësimin e drejtë të punës së secilit prokuror dhe së bashku të sigurojmë zbatimin e standardeve të larta të përformancës, ndershmërisë dhe profesionalizmit.

Në bazë të kompetencës time, zotohem para qytetarëve tanë,  se do të punoj fort në rritjen e transparencës përmes webfaqes së KPK-së, në dy shtyllat kryesore:

  • Sistemin e disiplinimit, me publikimin e vendimeve nga të gjithë autoritetet kompetente, duke mos cenuar të drejtat e garantuara me ligj dhe
  • Vlerësimin e përformancës, me publikimin e menjëhershëm të vendimeve të Këshillit, duke përfshirë pikët dhe nivelet e vlerësimit të prokurorit, poashtu duke mos cenuar të drejtat e garantuara me ligj. 

Gjithashtu në mënyrë të vazhdueshme kemi promovuar sistemin e zhvillimit të karrierës përmes transferimit dhe avancimit të prokurorëve aty ku ka më së shumti nevojë. Së shpejti përfundojmë një proces të avancimit me qëllim të forcimit të Prokurorisë Speciale.

Po punojmë në përmirësimin e infrastrukturës së prokurorive, në sigurimin e stafit të nevojshëm si dhe jemi duke ngritur koordinimin për organizimin e trajnimeve për prokurorë dhe personel me Akademinë e Drejtësisë.

Të nderuar të pranishëm,

Në rrugëtimin tonë po përballemi me sfida të shumta dhe nganjëherë edhe të vështira.

Ne ende kemi buxhet të pamjaftueshëm për të plotësuar nevojat e prokurorëve me stafin e duhur, ende kemi nevojë për një siguri më të madhe dhe kushte më të mira për punë, por të jeni të sigurt se të gjitha këto nevoja janë adresuar te institucionet kompetente dhe partnerët tanë, dhe kemi besim që ata do të na ndihmojnë për të arritur plotësimin e nevojave tona.

Synimet tona kryesore, ndër të tjera janë edhe përmirësimi i komunikimit, planifikimi më i mirë, llogaridhënia dhe transparenca. Këto dhe vlera të tjera janë pjesë e aktiviteteve tona të përditshme.

Në anën tjetër dëshiroj të ju them se edhe Këshilli Prokurorial ka pritje të shumta nga ju.

Mbi të gjitha, ne presim nga ju prokurorë që të punoni me përkushtim, të jeni të drejtë, të pavarur dhe profesional në kryerje të obligimeve tuaja. Ndërsa nga ju kryeprokurorë presim menaxhim me standardet më të larta, me koshiencë dhe i cili mundëson qasje të drejtë në shërbimet e prokurorisë.

Të nderuar partnerë dhe ju miq të sistemit prokurorial,

Të arriturat dhe realizimi i vizionit tonë do të ishte i pamundur pa bashkëpunimin dhe mbështetjen e partnerëve tanë vendor dhe ndërkombëtar.

Ju falënderoj të gjithëve për mbështetjen.

Në këtë drejtim po theksoj ndihmën e dhënë nga projekte të ndryshme të Bashkimit Evropian, misionit të EULEX-it, Ambasadave, si ajo: Amerikane, Angleze, Norvegjeze, Holandeze dhe Franceze, pastaj ndihmën e madhe të UNDP-së, EUKOJUST, OSBE-së, GIZ-it, IRZ-së etj.

Këshilli Prokurorial çmon shumë edhe bashkëpunimin e institucioneve vendore, pa dashur të përmend me emra, por dua të shpreh gatishmërinë tonë për ngritjen e mëtejme të këtij bashkëpunimi.

Në fund, dëshiroj të ju falënderoj të gjithëve për kontributin tuaj në të kaluarën dhe presim bashkëpunimin e ndërsjellë edhe në të ardhmen.

Ju faleminderit!