Lajm - Kpk | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Mbahet Konferenca Vjetore e Forumit të Grave Gjyqtare dhe Prokurore

Prishtinë, 1 mars 2024

Trajtimi i çështjeve të rëndësishme lidhur me barazinë gjinore në sistemin gjyqësor dhe prokurorial dhe përfaqësimi gjinor në të gjitha nivelet e sistemit të drejtësisë në Republikën e Kosovës, ishin tema diskutimi në Konferencën Vjetore të Forumit të Grave Gjyqtare dhe Prokurore, e cila ka zhvilluar sot punimet e saj në tri sesione të ndara.

Në këtë konferencë morën pjesë përfaqësues nga Këshilli Prokurorial i Kosovës, Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), Misioni i OSBE-së në Kosovë, Ambasada Amerikane dhe gjyqtare dhe prokurore nga gjykatat dhe prokuroritë e vendit.

Më ketë rast, Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, z.Ardian Hajdaraj, theksoi se në Këshillin Prokurorial ekziston një angazhim i shtuar për rritjen e numrit të prokurorëve të gjinisë femërore, sidomos në këto katër vjetët e fundit kemi arritur rezultate të mira dhe në vitin 2021, numri i prokuroreve ka shënuar rritje për  43 për qind, gjë që është pasqyruar edhe në raportin e mbështetur nga Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Prishtinë, me titull: “Vlerësimi institucional gjinor dhe përfshirja sociale e Prokurorisë së Kosovës”, kurse tashmë në krye të Këshillit Prokurorial, së bashku me mua, është edhe prokurorja znj.Jehona Grantolli, në detyrën e Zëvendëskryesues së KPK-së.   

Gjithashtu, Zëvendëskryesuesja e KPK-së, znj.Jehona Grantolli, ka nënvizuar ndryshimin që është duke ndodhur sidomos me vendimet e fundit që në pozita të rëndësishme të emërohen gra prokurore në sistemin prokurorial, në mënyrë që gratë të kenë rolin dhe pozitën legjitime dhe të kenë një avancim të mëtejshëm në procesin e fuqizimit të tyre në sistemin prokurorial.

Zëvendëskryesuesja e Forumit të Grave Gjyqtare dhe Prokurore, znj.Laura Pula, njëherësh Prokurore në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, ka theksuar rolin dhe rëndësinë e Forumit të Gjyqtareve dhe Prokuroreve, duke thënë se avancimi dhe fuqizimi i rolit të gruas në sistemin e drejtësisë është vizion i Forumit, por natyrshëm duhet të jetë edhe vizion institucional dhe shoqëror i vendit tonë.

Rrjedhimisht, gjatë konferencës së sotme, pjesëmarrësit diskutuan për arritjet dhe sfidat e Forumit të Grave Gjyqtare dhe Prokurore, perspektivat e grave juriste nga nivele të ndryshme të sistemeve gjyqësore dhe prokuroriale dhe për aktivitetet e vitit 2024 për shoqatat e reja të grave gjyqtare dhe prokurore.

Po sot, Forumi i Grave Gjyqtare dhe Prokurore është ndarë në dy forume të veçanta, me ç’rast janë mbajtur edhe zgjedhjet për të dyja forumet dhe pas votimit rezultoi që Prokurorja në ZKPSH, znj.Laura Pula, u zgjodh Kryetare e Forumit të Prokuroreve, kurse Gjyqtarja në Gjykatën Supreme, znj.Valdete Daka, u zgjodh kryetare e Forumit të Gjyqtarëve