Mbahet takimi i parë i Grupit Punues për hartimin e Planit të Integritetit të Sistemit Prokurorial (2024-2026)
Prishtinë, 26 janar 2024 - Grupi Punues për hartimin e Planit të Integritetit të Sistemit Prokurorial për vitet 2024-2026, i udhëhequr nga anëtari i KPK-së, z.Ardian Hajdaraj, ka mbajtur takimin e parë, në të cilin morën pjesë anëtarët dhe zyrtarët e njësive organizative të Sekretariatit të KPK-së dhe NJSHPP-së.
Qëllimi i takimit të sotëm ishte diskutimi për draftimin e Planit të Integritetit, si dhe për çështje të tjera që ndërlidhen me sigurimin efektiv të menaxhimit të integritetit, llogaridhënies publike dhe transparencës, si dhe për parimet e rezistencës institucionale ndaj cenimeve të integritetit në sistemin prokurorial.
Kryesuesi i Grupit punues, z.Ardian Hajdaraj, theksoi se, përmes Planit të Integritetit të Sistemit Prokurorial 2024-2026, synohet rritja e mundësive që sistemi prokurorial të arrijë objektivat e menaxhimit të integritetit, pajtueshmërinë me kërkesat dhe standardet ligjore dhe procedurale dhe besimin e stafit dhe palëve të jashtme të interesit në përkushtimin për integritet që kërkohet nga sistemi prokurorial.
Anëtarët e Grupit punues caktuan prioritetet e punës, përfshirë hartimin e planit, përpilimin e pyetësorit gjithëpërfshirës dhe përpilimin e tabelave të rrezikut dhe adresimin e cenueshmërisë së integritetit.
Plani i integritetit është një dokument i brendshëm për të vlerësuar nivelin e integritetit brenda institucionit përkatës dhe ofron masa për menaxhimin e tij, duke shtuar dhe fuqizuar kontrollet ekzistuese operative në të gjitha aktivitetet përbrenda fushëveprimit të Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe Prokurorit të Shtetit.