Lajm - Kpk | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Mbështetja dhe fuqizimi i administratës, temë diskutimi në takimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Sekretariatit me përfaqësuesit e Ambasadës Amerikane

Prishtinë, 11 janar 2024 - Në kuadër të takimeve njohëse dhe zhvillimeve të diskutimeve për bashkërendimin e aktiviteteve të përbashkëta me partnerët ndërkombëtarë, Drejtori i Përgjithshëm i SKPK-së, Sami Istrefi, priti sot në takim Këshilltarin Rezident Ligjor në Ambasadën e SHBA-së, Erin Cox dhe Zyrtaren e Lartë Ligjore në OPDAT në Ambasadën Amerikane, Benina Kusari.

Z. Istrefi falënderoi përfaqësuesit e Ambasadës Amerikane për vizitën e sotme, duke theksuar se është në interes të plotë të Sekretariatit që ai përfaqëson të vazhdojë bashkëpunimi i ngushtë për fuqizimin e kapaciteteve administrative të sistemit prokurorial.

Rrjedhimisht, u diskutua edhe për çështjet e prioriteteve dhe organizimit të punëve të përbashkëta, identifikimin dhe planifikimin e saktë të tyre dhe tejkalimin e sfidave në rrugën përpara, me qëllim të ngritjes së efikasitetit dhe llogaridhënies së njësive organizative dhe përmirësimit të cilësisë së shërbimeve administrative, ndër të tjera, u diskutua edhe çështja e mbështetjes së kapaciteteve të Zyrës për Mbrojtje dhe Ndihmë të Viktimave dhe krijimin e kushteve për punë sa më efikase të mbrojtësve të viktimave.

Këshilltari Rezident Ligjor në Ambasadën e SHBA-së, duke uruar Drejtorin e Përgjithshëm për detyrën e re, theksoi gatishmërinë për të mbështetur dhe përkrahur administratën në realizmin e misionit të përcaktuar, me anë të ekspertizës dhe formave të tjera, në mënyrë që të ketë fuqizim të mëtejshëm të kapaciteteve administrative të sistemit prokurorial.