Lajm - Kpk | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

MBAHET TAKIMI I RADHËS I KOMISIONIT PËR ADMINISTRIMIN E PROKURORIVE

 

Prishtinë, 4 janar 2024 - Kryetari i Komisionit për Administrimin e Prokurorive të Këshillit Prokurorial të Kosovës, Veton Shabani, ka mbajtur takimin e parë për vitin 2024, me anëtarët e këtij Komisioni për të diskutuar lidhur me numrin e prokurorëve në sistemin prokurorial, draft planin e punës për vitin 2024, si dhe draft raportin e punës së Komisionit për vitin 2023.

Gjatë këtij takimi anëtarët e Komisionit kanë vlerësuar se rritja e numrit të prokurorëve në sistemin prokurorial është i rëndësishëm për funksionimin sa më të mirë të drejtësisë në vend, duke theksuar se ende ka ngarkesë në punën e secilit prokurorë për shkak të numrit të madh të lëndëve të cilat kanë.

Gjithashtu, anëtarët e këtij Komisioni kanë diskutuar edhe për draft planin e punës për vitin 2024, duke potencuar se në këtë draft plan duhet të përfshihet vlerësimi i objektivave të përcaktuara, strategjitë e parashikuara dhe masat konkrete për të arritur këto objektiva.

Vlen të theksohet se në këtë takim është diskutuar edhe draft raporti i punës së Komisionit për vitin 2023. Anëtarët e Komisionit kanë theksuar se draft raporti i punës për vitin 2023, duhet të përfshijë vlerësimin e arritjeve të komisionit gjatë këtij viti, sfidat e hasura, dhe rekomandimet e nxjerra për të ardhmen. Po ashtu, anëtarët e Komisionit kanë shqyrtuar efikasitetin e veprimeve të ndërmarra, si dhe hapat e nevojshëm të cilat duhet të ndërmerren për të përmirësuar edhe më shumë funksionimin e këtij komisioni.