Share on

Facebook

Një delegacion nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar të Republikës së Shqipërisë vizituan Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit

Prishtinë, 24 dhjetor 2024 – Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, z. Besim Kelmendi, i shoqëruar nga Kryesuesi i Këshillit Prokurorial, z. Ardian Hajdaraj, nga  Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, z. Blerim Isufaj, si dhe nga prokurorët e Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, kanë pritur sot në takim pune një delegacion nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar të Republikës së Shqipërisë, kryesuar nga kreu i kësaj prokurorie, z. Altin Dumani.

U.D. Kryeprokurori Kelmendi i njoftoi të pranishmit me mënyrën e funksionimit, strukturën organizative dhe kompetencat e Prokurorit të Shtetit, në përgjithësi e konkretisht për kompetencat e Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, si dhe për sfidat dhe të arriturat e këtij institucioni.

Gjatë këtij takimi pati diskutime të frytshme lidhur me ngritjen e nivelit të bashkëpunimit, koordinimit dhe efikasitetit në luftën kundër krimit dhe forcimin e sundimit të ligjit në të dyja shtetet, si dhe pati diskutime për çështje të tjera profesionale me interes të përbashkët.

Po ashtu në këtë takim u diskutua edhe për avancimin e mëtejshëm të bashkëpunimit përmes nënshkrimit të memorandumeve, si dhe për formimin e ekipeve të përbashkëta të hetimit me qëllim të luftimit të të gjitha formave të krimit.