Prishtinë, 10 Dhjetor 2024 – Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit dhe Zyra Kombëtare e Auditimit kanë organizuar punëtori të përbashkët me temë:” Harmonizimi i Përkufizimeve të Shkeljeve dhe Udhëzimeve për Identifikimin e Veprave Penale”.
Qëllimi i organizimit të kësaj punëtorie është synimi për të ngritur bashkëpunimin në mes Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit dhe Zyrës Kombëtare të Auditimit dhe të vendosë një qasje të unifikuar për klasifikimin dhe trajtimin e shkeljeve ligjore, shkëmbimin e informatave kthyese, duke forcuar angazhimin e përbashkët për pajtueshmëri dhe qartësi në proceset ligjore.
Të pranishmëve me fjalë përshëndetëse iu drejtuan Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, z. Besim Kelmendi dhe zbj. Vlora Spanca, Auditore e Përgjithshme në Zyrën Kombëtare të Auditimit.
U.D. Kryeprokurori Kelmendi gjatë fjalës së tij theksoi se ka mirëpritur një takim të përbashkët në mes të Prokurorit të Shtetit dhe Auditorit të Përgjithshëm, ku do të diskutohet për avancimin e bashkëpunimit në mes këtyre dy institucioneve, me qëllim të parandalimit dhe luftimit me sukses të korrupsionit dhe mbrojtjen e buxhetit të shtetit.
Gjithashtu, U.D. Kryeprokurori Kelmendi ka kërkuar nga të pranishmit që të diskutojnë edhe për të gjitha sfidat dhe vështirësitë e tyre gjatë punës dhe bashkëpunimit të tyre, me qëllim që këto sfida të tejkalohen sa më lehtë.
Ne fund U.D Kryeprokurori Kelmendi shprehu gatishmërinë e tij dhe Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit për vazhdimin e mbajtjes së takimeve, punëtorive dhe trajnimeve të përbashkëta që kanë për qëllim ngritjen dhe avancimin e profesionalizmit në trajtimin e rasteve, ku dyshohet se ka elemente të veprave penale korruptive.
Gjatë punimeve të kësaj punëtorie u diskutua për rolin e auditimit dhe bashkëpunimit ndërinstitucional në identifikimin e mashtrimeve në sektorin publik: sfidat dhe mundësitë për përmirësim, u prezantuan disa rasteve të gjetjeve të auditimit të identifikuara në auditime, si dhe pati diskutim të përgjithshëm të referimit të rasteve në Prokurorin e Shtetit.
Poashtu pati diskutim të hapur rreth sfidave të përbashkëta në klasifikimin e shkeljeve ligjore në raport me elementet e veprave penale dhe u bë informimi i përgjithshëm rreth integrimit të platformave elektronike për rastet e mashtrimit dhe kthimin e informacionit ndërmjet dy institucioneve.
Pjesëmarrës në këtë punëtori përveç përfaqësuesve të institucionit të Prokurorit të Shtetit dhe Zyrës Kombëtare të Auditimit ishin edhe përfaqësues të Ambasadës Amerikane në Prishtinë, të USAID-it, si dhe Zyrës së UNDP-së në Prishtinë.