186 - Transparenca | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
Home Banner
left stars
right stars
Left Logo Right Logo
Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës

Pyetjet më të shpeshta PSH

  • Kush dhe si mund ta bëj një kallëzim penal pranë Prokurorit të Shtetit?

Kallëzim penal mund të paraqesin: Policia e Kosovës apo zbatuesit tjerë te ligjit, institucionet dhe qytetarët, duke e dorëzuar kallëzimin penal në njërën nga prokuroritë themelore kompetente apo ne Prokurorinë Speciale për rastet të cilat ajo është kompetente.
Neni 79 i Kodit te Procedurës Penale të Kosovës
Kallëzimi penal nga personat
1. Çdo person ka të drejtë të kallëzojë veprën penale që ndiqet sipas detyrës zyrtare dhe detyrohet ta bëjë këtë në rastin kur moskallëzimi i veprës penale paraqet vepër penale.
2. Punëtori social, punëtori shëndetësor, mësuesi, edukatori ose personat tjerë që kryejnë punë në cilësi të ngjashme të cilët mësojnë ose zbulojnë se ekziston dyshim i arsyeshëm se fëmija është viktimë e veprës penale, e sidomos për vepra penale kundër integritetit seksual, këtë duhet ta kallëzojnë menjëherë.
3. Kur ndjekja për vepër të caktuar penale varet nga propozimi për ndjekje i të dëmtuarit apo nga leja paraprake e organit kompetent, prokurori i shtetit nuk mund të zbatojë hetimin, të ngritë aktakuzën pa dorëzimin e provave që dëshmojnë se është dhënë propozimi apo leja. Në raste të ngutshme, prokurori i shtetit mund të veprojë në bazë të propozimit gojor për ndjekje i cili duhet konfirmuar me shkrim brenda dyzet e tetë (48) orëve. Kallëzimi penal i nënshkruar nga i dëmtuari mjafton sipas këtij paragrafi.
Neni 80 i Kodit te Procedurës Penale të Kosovës
Kallëzimi penal i paraqitet prokurorit të shtetit
1. Kallëzimi penal i paraqitet prokurorit kompetent të shtetit me shkrim, me mjete teknike të komunikimit ose gojarisht.
2. Nëse vepra penale është kallëzuar gojarisht, personi i cili bën kallëzimin paralajmërohet për pasojat e kallëzimit të rremë. Për kallëzimet penale gojore përpilohet procesverbal dhe për kallëzimet e pranuara nëpërmjet telefonit ose me mjete të tjera komunikimi bëhet shënim zyrtar.
3. Kallëzimi penal që i është paraqitur gjykatës, policisë ose prokurorit të shtetit që nuk është kompetent duhet të pranohet dhe pa vonesë t’i dërgohet prokurorit kompetent të shtetit.
KUJDES: Sipas nenit 382 të Kodit Penal te Republikës së Kosovës Lajmërimi apo kallëzimi i rremë mund të jetë vepër penale në rastet si në vijim:


Neni 382 I Kodit Penal te Republikës së Kosovës
Lajmërimi apo kallëzimi i rremë
1. Kushdo që bën lajmërim të rremë te personi zyrtar i ngarkuar me detyrën për të hetuar apo ndjekur, se personi i caktuar ka kryer vepër penale e cila ndiqet sipas detyrës zyrtare, duke e
ditur se personi i tillë nuk është kryesi, dënohet me gjobë ose me burgim prej tre (3) muaj deri në tre (3) vjet.
2. Kushdo që ofron prova të rreme për veprën penale ose në ndonjë mënyre tjetër shkakton fillimin e procedurës penale për vepër penale e cila ndiqet sipas detyrës zyrtare kundër personit për të cilin ai e di se nuk e ka kryer veprën penale, dënohet me dënimin nga paragrafi 1. i këtij neni.
3. Kushdo që lajmëron veten se ka kryer vepër penale e cila ndiqet sipas detyrës zyrtare, edhe pse nuk e ka kryer veprën e tillë, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre (3) muaj.
4. Kushdo që lajmëron te personi zyrtar i ngarkuar me detyrën për të hetuar apo ndjekur, se është kryer vepër penale e cila ndiqet sipas detyrës zyrtare, edhe pse ai e di se vepra nuk është kryer, dënohet me dënimin nga paragrafi 3. i këtij neni.

 

  • Cili është mandati i Kryeprokurorit të Shtetit?

Mandati i Kryeprokurorit te Shtetit është parashikuar edhe me nenin 11 të Ligjit për Prokurorin e Shtetit dhe është si ne vijim:
1. Kryeprokurori i Shtetit:
1.1. është kreu i Prokurorisë së Shtetit, me përgjegjësi për menaxhimin dhe përfaqësimin e Prokurorisë së Shtetit dhe të strukturave të prokurorive, të cilat e përbëjnë Prokurorinë e Shtetit;
1.2. cakton Zëvendësin e Kryeprokurorit të Shtetit, nga radhët e prokurorëve në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, i cili e zëvendëson Kryeprokurorin e Shtetit në mungesë të tij;
1.3. ka kompetencë në tërë territorin e Republikës së Kosovës;
1.4. ka kompetencë ekskluzive për lëndë në shkallë të tretë pranë Gjykatës Supreme dhe mbi të gjitha lëndët që përfshijnë mjetet e jashtëzakonshme juridike;
1.5. nxjerr me shkrim rregulla, udhëzime dhe vendime të përgjithshme të detyrueshme për të gjithë kryeprokurorët dhe prokurorët me qëllim të zbatimit të ligjshmërisë, ngritjes së efikasitetit dhe zbatimit unik të praktikave dhe legjislacionit;
1.6. mbikëqyr zbatimin e udhëzimeve dhe akteve tjera të përcaktuara në nënparagrafin
1.5 të këtij neni;
1.7. i propozon Këshillit për miratim rregullat mbi veprimtarinë dhe udhëheqjen e evidencës në prokurori;
1.8. kryen edhe punë të tjera të përcaktuara me ligj.
2. Me qëllim të zhvillimit efikas të procedurës ose për arsye tjera të rëndësishme, Kryeprokurori i Shtetit në bazë të një vendimi me shkrim, mund të marrë nën juridiksion cilindo rast në cilëndo prokurori në Republikën e Kosovës, ose ta ri-caktoj atë te një prokurori tjetër. Përveç elementeve të përmendura, një vendim i tillë duhet të arsyetojë së paku neglizhencën, paaftësinë profesionale ose konfliktin e interesit të prokurorit/ve që e bëjnë të besueshëm një vendim të tillë.

 

  • Si të iniciohet ankesa ndaj sjelljes së prokurorëve?

Autoriteti kompetent për të paraqitur ankesë për shkeljet e supozuara disiplinore nga prokurorët është; Kryeprokurori i Shtetit, kryeprokurorët e prokurorive të cilitdo nivel dhe Këshilli Prokurorial.  
Ligji për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve
Neni 9
Ankesat ndaj prokurorëve për shkelje disiplinore;
1. Personat fizik dhe juridik mund të ushtrojnë ankesë ndaj një gjyqtari ose prokurori lidhur me
ndonjë pretendim për shkelje disiplinore tek autoritetet vijuese (në tekstin e mëtejmë: “Autoriteti Kompetent”):
1.1. Kryetari i Gjykatës Themelore dhe të Apelit në të cilën shërben gjyqtari për sa i
përket pretendimeve për shkeljeve disiplinore të atij gjyqtari;
1.2. Kryetari i Gjykatës Supreme për sa i përket pretendimeve për shkeljeve disiplinore
të Kryetarëve të Gjykatave Themelore dhe Kryetarit të Gjykatës së Apelit;
1.3. Këshilli Gjyqësor i Kosovës për sa i përket pretendimeve për shkelje disiplinore të
Kryetarit të Gjykatës Supreme;
1.4. Kryeprokurori i Shtetit për sa i përket pretendimeve për shkelje disiplinore të
Kryeprokurorëve;
1.5. Kryeprokurori për sa i përket pretendimeve për shkelje disiplinore të prokurorëve të
punësuar në prokurorinë për të cilën është përgjegjës Kryeprokurori.
1.6. Këshilli Prokurorial i Kosovës për sa i përket pretendimeve për shkeljeve disiplinore
të Kryeprokurorit të Shtetit.
2. Kur ankesa i dërgohet autoritetit jokompetent, autoriteti i tillë do të transferojë ankesën tek
autoriteti kompetent, në pajtim me Ligjin për Procedurën e Përgjithshme Administrative.
3. Personat fizik dhe juridik mund të ushtrojnë ankesë ndaj një gjyqtari ose prokurori tek Avokati
i Popullit.
4. Personi fizik apo juridik duhet ta dorëzojë ankesën me shkrim. Ankesa duhet të përmbaj:
4.1. identitetin e personit fizik ose juridik i cili e paraqet ankesën;
4.2. identitetin e gjyqtarit ose prokurorit që do të jetë subjekt i hetimit;
4.3. një përshkrim konciz të aspekteve faktike dhe juridike mbi të cilat është ngritur
dyshimi për shkelje disiplinore.
5. Çdo ankesë zyrtare duhet të regjistrohet dhe të arkivohet nga Autoriteti Kompetent, i cili
menjëherë i dërgon një njoftim me shkrim Këshillit përkatës lidhur me pranimin e një ankese
të tillë. Në rast se Avokati i Popullit pranonë ndonjë ankesë, ai duhet t’ia përcjell atë Autoritetit
Kompetent të përcaktuar në nenin 9, paragrafi 1, brenda pesë (5) ditëve të punës.
6. Autoriteti Kompetent sipas nenit 9, paragrafin 1, shqyrton ankesën brenda tridhjetë (30) ditëve
nga dita e pranimit të ankesës dhe vepron në përputhje me nenin 12, paragrafin 2, përveç kur
konstaton se ankesa është dukshëm joserioze, e pabazuar, nuk ka të bëjë me ndonjë shkelje
disiplinore, ose është parashkruar. Lidhur me vendimin e marrë, Autoriteti Kompetent njofton
menjëherë me shkrim personin që ka paraqitur ankesë. Një kopje e vendimit i dorëzohet edhe
Këshillit përkatës, dhe në rastet e parapara me paragrafin 3 të këtij neni edhe Avokatit të Popullit.
7. Nëse Kryetari i Gjykatës ose Kryeprokurori nuk shqyrton dhe nuk vendos lidhur me ankesën
ose nuk njofton personin që ka paraqitur ankesë për arsyet e hedhjes poshtë të ankesës, siç
kërkohet në paragrafin 6, konsiderohet se kanë kryer shkelje disiplinore.

Pyetjet më të shpeshta KPK

  1. Cili është mandati i KPK-së?

Mandati i Këshillit buron nga Kushtetuta dhe ligji, i cili e përcakton atë si një institucion plotësisht të pavarur në ushtrimin e funksioneve të tij, në pajtim me ligjin.

Këshilli Prokurorial i Kosovës siguron qasje të barabartë në drejtësi për të gjithë personat në Kosovë.

Këshilli Prokurorial i Kosovës siguron që Prokurori i Shtetit të jetë i pavarur, profesional, i paanshëm dhe pasqyron natyrën shumetnike të Kosovës dhe parimet e barazisë gjinore.

Këshilli ushtron detyrat dhe përgjegjësitë si në vijim:

  • vendos për organizimin, menaxhimin, administrimin dhe mbikëqyrjen e funksionimit të prokurorive sipas ligjit;
  • i propozon Presidentit emërimin, riemërimin dhe shkarkimin e prokurorëve, si dhe siguron se të gjithë kandidatët e propozuar i plotësojnë kriteret e përcaktuara me ligj, sipas procedurave përkatëse ligjore;
  • i propozon Presidentit emërimin dhe shkarkimin e Kryeprokurorit të Shtetit, siguron se kandidati i propozuar i plotëson kriteret e përcaktuara me ligj dhe janë zhvilluar procedurat përkatëse;
  • vendos për emërimin e kryeprokurorëve të prokurorive themelore, Prokurorisë Speciale dhe Prokurorisë së Apelit, në pajtim me Ligjin për Prokurorinë e Shtetit dhe Ligjin për Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës;
  • siguron zbatimin dhe mbikëqyrë kriteret për pranim në prokurori, të cilat duhet të bëhen në pajtim me parimet e meritës, mundësive të barabarta, barazisë gjinore, mos diskriminimit dhe përfaqësimit të barabartë, në bazë të konkursit publik dhe pas verifikimit të zotësisë së veprimit të kandidatëve;
  • shpall konkursin publik për prokurorë;
  • vendos për organizimin e provimit për kandidatët për prokurorë sipas rregullores së miratuar nga Këshilli përcaktimin e numrit të prokurorëve për secilën prokurori;
  • vendos dhe mbikëqyrë zbatimin e kritereve për përbërjen etnike të juridiksionit territorial të prokurorisë përkatëse dhe për plotësimin e vendeve të lira të punës, të garantuara për anëtarë të komuniteteve që nuk janë shumicë në Kosovë;
  • vendos për numrin e prokurorëve në secilin prokurori;
  • përgatit, dërgon dhe mbikëqyrë buxhetin e Prokurorit të Shtetit dhe Këshillit Prokurorial;
  • vendos për avancimin, transferimin dhe disiplinimin e prokurorëve;
  • vendos kriteret për vlerësimin e prokurorëve, për ngarkesën me lëndë të prokurorive dhe për funksionim efikas të prokurorive si dhe kontrollon dhe garanton
  • udhëheq procesin e vlerësimit dhe shqyrton ankimet e prokurorëve për vlerësimin e tyre;
  • vendos dhe mbikëqyrë kriteret për përcaktimin e politikave, standardëve dhe udhëzimeve sa i përket trajnimit të prokurorëve dhe personelit tjetër dhe mbikëqyrjen e zbatimit të trajnimit dhe zhvillimit profesional të prokurorëve nga Akademia apo shoqata apo organizata tjera trajnuese;
  • miraton Kodin e Etikës Profesionale për anëtarët e Këshillit, shkelja e të cilit paraqet bazë për sanksione, përfshirë shkarkimin nga Këshilli;
  • miraton Kodin e Etikës Profesionale për prokurorë, shkelja e të cilit paraqet bazë për sanksione, përfshirë shkarkimin nga funksioni;
  • miraton Kodin e Etikës profesionale për stafin administrativ, shqiptimin e masave disiplinore të përcaktuara me Ligjin përkatës për Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës, shkelja e të cilit paraqet bazë për sanksione;
  • siguron që prokurorët të veprojnë në mënyrë të pavarur, profesionale dhe të paanshme gjatë kryerjes së të gjitha funksioneve prokuroriale;
  • në bashkëpunim me Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit zhvillon politika dhe strategji prokuroriale për luftimin efektiv të kriminalitetit;
  • përgatit një raporti vjetor mbi veprimtaritë dhe shpenzimet e Prokurorit të Shtetit dhe të Këshillit;
  • mbikëqyrë dhe administron prokuroritë dhe personelin të saj;
  • mbikëqyrë Sekretariatin, Njësitin për Shqyrtimin e Performancës së Prokurorisë dhe nxjerrjen e rregullave dhe rregulloreve në pajtim me kompetencat e veta;
  • përcakton procedurat për seancat dhe zhvillimin e seancave disiplinore;
  • bashkëpunon me këshillat prokuroriale të shteteve të tjera dhe organizatat përkatëse vendore dhe ndërkombëtare, me kusht që të mos ndikojë në pavarësinë e punës së tij;
  • bën shpalljen e rregullave dhe rregulloreve në pajtim me ligjet për informimin publik lidhur me menaxhimin dhe zbulimin e informacionit që mbahet nga Prokurori i Shtetit;
  • bën themelimin e komisioneve, të cilat Këshilli i vlerëson si të nevojshme;
  • miraton rregulla të punës për funksionimin e Këshillit dhe komisioneve të veta dhe përzgjedhjen e atyre anëtarëve të Këshillit që zgjidhen nga kolegët e tyre, rregulla këto që janë në dispozicion të publikut;
  • nxjerr rregullore për procedurën e përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit dhe emërimit të kryeprokurorëve të prokurorive;
  • nxjerr rregullore për organizimin e brendshëm të Prokurorit të Shtetit;
  • garanton një sistem të hapur dhe të përgjegjshëm të administrimit të vendimeve të Këshillit dhe Prokurorit të Shtetit;
  • raporton para publikut për zbatimin e objektivave të saj të përcaktuara në mënyrë specifike dhe të bazuar në indikator të matshëm;
  • miraton aktet nënligjore në funksion të zbatimit të detyrave dhe përgjegjësive të tij, në pajtim me legjislacionin në fuqi dhe
  • kryen detyra të tjera të përcaktuara në ligj.

 

  1. Si zgjedhën anëtarët e KPK-së?

Zgjedhja dhe emërimi i anëtarëve të Këshillit bazohet në perfomancën e lartë profesionale, reputacionin moral dhe integritetin personal të tyre, duke siguruar një proces të zgjedhjes të mbështetur në parimet e konkurrencës, transparencës, paanshmërisë, objektivitetit, barazisë gjinore dhe shumetnicitetit.

Këshilli shpall zgjedhjet për anëtarët prokurorë, së paku tre (3) muaj para përfundimit të mandatit të anëtarëve ekzistues. Anëtarët prokurorë të Këshillit zgjidhen me votim të fshehtë nga prokurorët e prokurorive përkatëse.

Kandidatët duhet të mos jenë të dënuar me vepër penale dhe të mos kenë ndonjë masë të shqiptuar disiplinore në tri vjetët e fundit. Prokurori i cili siguron më së shumti vota nga lista votuese do të zgjidhet anëtar i KPK-së nga prokuroria përkatëse.

Tre (3) anëtarët joprokurorë të Këshillit, të zgjedhur nga Kuvendi, sipas nenit 65 (10) të Kushtetutës, zgjidhen me votim të fshehtë, me shumicën e votave të deputetëve të pranishëm dhe që votojnë, bazuar në një listë prej dy (2) kandidatëve për secilën pozitë të propozuar nga organet përkatëse, e që përfshin:

1. Një (1) anëtar nga Oda e Avokatëve të Kosovës;

2. Një (1) profesor nga fakultetet juridike të Republikës së Kosovës;

3. Një (1) përfaqësues nga shoqëria civile. Përfaqësuesi i shoqërisë civile përzgjidhet me anë të konkursit publik të shpallur nga Kuvendi, i cili duhet të ketë përgatitje të lartë profesionale, njohuri të dëshmuara nga fusha e drejtësisë, njohuri nga fusha e të drejtave të njeriut, përvojë pune në çështjet ligjore prej pesë (5) vjetëve dhe përkrahjen e së paku pesë (5) organizatave të shoqërisë civile të fushës së drejtësisë.

 

  1. Përbërja dhe mandati i tyre?

Këshilli përbëhet nga trembëdhjetë (13) anëtarë, dhjetë (10) prej tyre prokurorë, tre joprokurorë. Anëtarët e Këshillit qëndrojnë në detyrë për një mandat pesë (5) vjeçar, pa të drejtë rizgjedhjeje.

Këshilli përbëhet nga:

  • Kryeprokurori i Shtetit sipas detyrës zyrtare (ex officio);
  • Shtatë (7) anëtarë prokurorë, një (1) nga çdo prokurori themelore;
  • Një (1) anëtar prokuror nga Prokuroria e Apelit;
  • Një (1) anëtar prokuror nga Prokuroria Speciale;
  • Një (1) anëtar, Avokat nga Oda e Avokatëve të Kosovës;
  • Një (1) anëtar, Profesor universitar i fakulteteve juridike dhe
  • Një (1) anëtar, përfaqësues nga shoqëria civile.

Këshilli sigurohet që përbërja e tij të reflektojë natyrën shumetnike dhe barazinë gjinore, duke përcaktuar që së paku një anëtar të jetë nga radhët e komuniteteve joshumicë dhe së paku tre (3) anëtarë të jenë nga gjinia femërore.

 

  1. Si merren vendimet e Këshillit?

Vendimet e Këshillit merren me shumicë të thjeshtë të votave nga anëtarët e pranishëm, përveç nëse ligji e përcakton ndryshe. Për të marrë vendim, Këshillit i duhet kuorumi, i cili arrihet nëse në takim marrin pjesë nëntë (9) anëtarë. Anëtarët e Këshillit i ushtrojnë detyrat e tyre zyrtare në mënyrë të pavarur dhe të paanshme dhe nuk mbajnë përgjegjësi penale për vendimet, mendimet dhe veprimet, brenda fushëveprimit të tyre si anëtar të Këshillit.

 

  1. Cila është procedura e zgjedhjes së Kryesuesit të KPK-së?

Këshilli nga radhët e anëtarëve të vet prokurorë, me votim të fshehtë, me 2/3 e votave të anëtarëve të pranishëm dhe që votojnë zgjedh Kryesuesin dhe Zëvendëskryesuesin, me mandat tre (3) vjeçar. Zgjedhja në këto funksione nuk e zgjat mandatin e anëtarit të Këshillit.

Kryesuesi i Këshillit ka këto autorizime:

  • kryeson të gjitha takimet e Këshillit;
  • miraton rendin e ditës dhe pikat që do t’i dërgohen Këshillit për konsiderim dhe vendim;
  • përfaqëson Këshillin;
  • mbikëqyr dhe menaxhon punën e Këshillit dhe komisioneve të tij;
  • procedon buxhetin e hartuar nga Këshilli për shpenzimet e veprimeve dhe të personelit të Këshillit dhe Prokurorit të Shtetit;
  • paraqet raport me shkrim së paku një (1) herë në vit para Kuvendit mbi performancën, veprimet, shpenzimet dhe nevojat e Prokurorit të Shtetit;
  • Me pëlqimin e Këshillit, propozon anëtarët e komisioneve të përhershme siç ceket me këtë ligj, dhe ndërmerr detyra të tjera sipas udhëzimit të Këshillit.

Kryesuesi i Këshillit së paku një (1) herë në vit paraqet raporte publike vjetore për performancën, veprimet, kostot dhe nevojat buxhetore të sistemit prokurorial.

Organizon procedurën e zgjedhjes së anëtarëve të komisioneve të përhershme sipas këtij ligji, duke i mundësuar Këshillit një proces transparent dhe të përgjegjshëm të propozimeve dhe emërimit të tyre.

 

  1. A kam të drejtë të bëhem anëtar i KPK-së pa qenë prokuror?

Ju mund të zgjidheni anëtar i KPK-së pa qenë prokuror, ngaqë këtë mundëson Kushtetuta dhe Ligji për Këshillin Prokurorial, sepse Këshilli duhet t’i ketë tre (3) anëtar joprokurorë, të cilët zgjidhen nga Kuvendi me votim të fshehtë, sipas nenit 65 (10) të Kushtetutës, me shumicën e votave të deputetëve të pranishëm dhe që votojnë, bazuar në një listë prej dy (2) kandidatëve për secilën pozitë të propozuar nga organet përkatëse. Këtu përfshihet:

1. një (1) anëtar nga Oda e Avokatëve të Kosovës;

2. një (1) profesor nga fakultetet juridike të Republikës së Kosovës;

3. një (1) përfaqësues nga shoqëria civile. Përfaqësuesi i shoqërisë civile përzgjidhet me anë të konkursit publik të shpallur nga Kuvendi, i cili duhet të ketë përgatitje të lartë profesionale, njohuri të dëshmuara nga fusha e drejtësisë, njohuri nga fusha e të drejtave të njeriut, përvojë pune në çështjet ligjore prej pesë (5) viteve, dhe përkrahjen e së paku pesë (5) organizatave të shoqërisë civile të fushës së drejtësisë.

 

  1. Cilat janë procedurat dhe sa zgjatë procesi i trajtimit të një ankese?

Procesi i paraqitjes dhe trajtimit të ankesave ndaj prokurorëve është paraparë me Ligjin Nr. 06/L – 057 për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe Rregulloren 05/2019 për përgjegjësinë disiplinore të prokurorëve. Ankesa pranohet nga autoriteti kompetent apo nga zyrtari i autorizuar nga ky autoritet, me ç’rast autoriteti kompetent e njofton menjëherë Këshillin me shkrim për pranimin e ankesës. Autoriteti kompetent e shqyrton ankesën brenda 30 ditëve. Pas ndërmarrjes së veprimeve fillestare autoriteti kompetent mund ta hedhë ankesën, ta refuzojë ose të kërkojë fillimin e hetimeve nga Këshilli.

 

  1. Cilat janë masat që KPK-ja mund t’i marrë ndaj prokurorëve dhe në cilat raste?

Për shkelje disiplinore, Këshilli mund t’u shqiptojnë prokurorëve një ose më shumë nga sanksionet disiplinore në vijim:

  • vërejtje jopublike me shkrim;
  • vërejtje publike me shkrim;
  • zvogëlim i përkohshëm i pagës deri në pesëdhjetë përqind (50%) për një periudhë deri në një (1) vit;
  • transferim i përkohshëm ose i përhershëm në një prokurori tjetër të nivelit më të ulët;
  • propozim për shkarkim.