Prizren, 27 Shtator 2024 – Prokuroria Themelore në Prizren – Departamenti i Përgjithshëm, në dy raste të ndara ka sekuestruar dy (2) kamionë, si mjete të kryerjes së veprës penale, të cilët po transportonin zhavorr në mënyrë të kundërligjshme, dhe është iniciuar rast në drejtim të veprës penale “Ndotja, degradimi ose shkatërrimi i mjedisit” nga neni 338 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Prokuroria Themelore në Prizren, në koordinim me Policinë e Kosovës, Inspektorët e KPMM-së dhe Inspektorët Komunal, në fshatin Landovicë – Komuna e Prizrenit, në dy raste të ndara ka ndaluar vozitësit e dy kamionëve, të cilët po transportonin zhavorr në mënyrë të kundërligjshme.
Aktivitetet ilegale të nxjerrjes së zhavorrit në këtë fazë hetimore dyshohet se janë zhvilluar përgjatë shtratit të lumit Drini i Bardhë.
Brenda afatit ligjor nga Prokuroria Themelore e Prizrenit, në të dyja rastet e ndara është lëshuar urdhri ndalues i përkohshëm dhe gjithashtu brenda afatit ligjor, për mjetet e kryerjes së veprës penale më datë 27.09.2024 është paraqitur kërkesa për urdhër ndalues përfundimtar, me masat e përkohshme për sigurimin e pasurisë së specifikuar – shitjen e pasurive të specifikuar/kamionëve për çmim të tregut.
Prokuroria Themelore në Prizren, e njofton opinionin publik se mbetet e përkushtuar maksimalisht në luftimin e dukurive të tilla të kundërligjshme që degradojnë ambientin dhe u bënë thirrje qytetarëve për bashkëpunim në luftimin e kësaj dukurie degraduese.