Share on

Facebook

Përfaqësuesit Zviceranë të KFOR-it Vizitojnë Prokurorinë e Prizrenit

Sot, më 30 tetor 2024, koordinatorja e rasteve të dhunës në familje, prokurorja Mehreme Hoxha zhvilloi takim me përfaqësues të KFOR-it zviceran (SWISSCOY/KFOR) për të diskutuar trajtimin e rasteve të dhunës në familje në Kosovë. Me kërkesë të përfaqësuesve zviceranë, takimi u fokusua në analizimin e bazës ligjore dhe praktikave aktuale për trajtimin e rasteve të dhunës në familje në regjionin e Prizrenit.

Gjatë bisedës, përfaqësuesit e KFOR-it zviceran shprehën interes të veçantë për mënyrën se si rastet e dhunës në familje trajtohen në përputhje me ligjet në fuqi në Republikën e Kosovës, diskutimet përfshinë edhe statistikat e rasteve të regjistruara gjatë vitit 2024, masat mbrojtëse të ofruara për viktimat e dhunës në familje dhe vlerësimin e rrezikut për viktimat. Një tjetër temë kyçe ishte programi rehabilitues për kryesit e dhunës, i cili synon të ndihmojë në ndryshimin e sjelljeve dhe reduktimin e përsëritjes së rasteve të dhunës në familje.

Koordinatore e rasteve të dhunës në familje, ndau përvojat dhe sfidat që prokuroria e Prizrenit përballet gjatë trajtimit të këtyre rasteve. Në këtë takim, u vu në dukje përpjekja për të siguruar mbrojtje efikase për viktimat dhe për të zhvilluar qasje gjithëpërfshirëse që adresojnë nevojat e të dyja palëve për të ulur shkallën e dhunës në familje.

Përfaqësuesit e KFOR-it zviceran shprehën mirënjohje për informacionin e ndarë dhe për pritjen e ngrohtë, duke theksuar gatishmërinë e tyre për të ofruar mbështetje dhe për të forcuar bashkëpunimin për çështje të rëndësishme si kjo në të ardhmen.